TENIS NË “FERRIN” E VAPËS/ Sinner “mbijeton” në Australian Open! Tenistet amerikane dominojnë, më pak spektatorë
Tenisti Italian Jannik Sinner kaloi në raundin e katërt në Australian Open, duke përballuar vështirësitë fizike në kushte të temperaturave ekstreme. Vapa detyroi organizatorët të ndërprisnin ndeshjet në fushat e hapura, ndërsa takimet kryesore u zhvilluan me çatitë e mbyllura.
Jannik Sinner u rikthye nga pragu i kolapsit për shkak të ngërçeve muskulore për të mbajtur gjallë shpresën për mbrojtjen e titullit në turneun e tenisit Australian Open, mes vapës ekstreme.
Italian humbi setin e parë që nga tetori ndaj amerikanit Eliot Spizzirri dhe mezi lëvizte nën diellin përvëlues në Rod Laver Arena.
Megjithatë, ndeshja mori kthesë në favor të tij kur turneu aktivizoi protokollin për vapë ekstreme, duke lejuar mbylljen e çatisë së stadiumit dhe i dha mundësi Sinnerit të rikthehej për një fitore dramatike 4-6, 6-3, 6-4, 6-4.
Sinner, i cili në raundin e katërt të Australian Open do të përballet me bashkëkombësin Luciano Darderi, tha se ishte “me fat” që dy setet e fundit i luajti nën çati, pasi ngërçet i prekën fillimisht këmbët dhe më pas krahët.
“Në fund të fundit, tenisi është një lojë shumë mendore. U përpoqa të luaja sa më qetë që të ishte e mundur,” tha ai në një reagim të shkurtër.
Me temperaturat që pritej të arrinin deri në 40 gradë Celsius, ndeshjet nisën një orë më herët se zakonisht për të shfrytëzuar kushtet më të freskëta të mëngjesit.
Amerikanet Madison Keys dhe Jessica Pegula përfituan nga kushtet duke mposhtur përkatësisht çekën Karolina Pliskova dhe rusen Oksana Selekhmeteva, dhe siguruan përballjen mes tyre në fazën e 1/16-ave.
E renditura e katërta, Amanda Anisimova, iu bashkua shpejt dyshes në raundin e katërt me një fitore 6-1, 6-4 ndaj bashkë-atdhetares Peyton Stearns
Numri i spektatorëve ishte 51,048, rreth 10 mijë më pak se dita e gjashtë të premten dhe edhe më pak se ndeshjet e vitit të kaluar.

