Kupa e Botës në Ski, Colturi mbyll sllallomin gjigant në Çeki në vendin e 12-të
Lara Colturi u rendit e 12-ta sot në garën e radhës të Kupës së Botës për Ski Alpine për vajza. Në pistën e Spindleruv Mlyn në Çeki, 19-vjeçarja italo-shqiptare që përfaqëson ngjyrat kuqezi, rikuperoi lëshimin e dytë të disiplinës së Sllallomit Gjigant
Pas një lëshimi të parë jo të mirë ku u rendit e 21-ta, me kohën 1 minutë 14 sekonda e 37 të qindtat, Colturi rikuperoi në zbritjen e dytë, duke regjistruar kohën 1 minutë 13 sekonda e 36 të qindtat, çka i siguroi ngjitjen deri në vendin e 12-të.
Në renditjen përfundimtare, ajo e mbylli garën me kohën totale 2 minuta 27 sekonda e 73 të qindtat.
Vendi i parë u sigurua nga Sara Hector e Suedisë që bëri një performancë të mrekullueshme, me emocionet që ishin të shumta deri në fundin e garimit. Në podium u ngjitën gjithashtu dy amerikanet, Paula Moltzan dhe Mikaela Shiffrin.
Ndërkohë të dielën (nesër) zhvillohet gara e sllallomit special, që është dhe disiplina më rezultative e Lara Colturit, rrëshqitjen e parë do ta ketë në ora 09:30 deri në 10:30, kurse rrëshqitjen e dytë në ora 12:15 deri në 13:15.
Aktualisht, Lara Colturi mban vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës për Ski, me 467 pikë të grumbulluara.

