Avdullah Hoti në garë për LDK/ Kërkon besimin e delegatëve në Kuvend
Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të garojë për për të qenë në krye të LDK-së. Sipas Hotit ka ardhur koha që Lidhja Demokratike e Kosovës të kthehet në forcën kryesore të vendit.
Avdullah Hoti dëshiron të marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke thënë se “ka ardhur koha” për ta kthyer atë në forcën kryesore politike në vend.
Hoti – i cili shërbeu shkurtimisht si kryeministër i Kosovës mes viteve 2020 dhe 2021 – shkroi në Facebook të dielën se do ta kërkojë besimin e delegatëve të partisë në Kuvendin e LDK-së më 31 janar.
Ai tha se po e bën këtë “pas dorëheqjes së kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor”.
Kryetari i tanishëm Lumir Abdixhiku pritet ta kërkojë votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e 31 janarit, pasi më parë kishte thënë se e ka ofruar dorëheqjen por se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.
Nuk është e qartë nëse Abdixhiku do ta humbë votëbesimin për t’i hapur rrugë garës për kryetar të partisë.
Hoti shkroi se “në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të parties. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon”, shkroi ai.
Hoti, 50 vjeç, është pjesë e LDK-së nga viti 2006 dhe, përveç si kryeministër i vendit, në të kaluarën ai ka shërbyer edhe si ministër i Financave i Kosovës.
LDK-ja caktoi Kuvendin e partisë për 31 janar pas një mbledhjeje të Kryesisë javën e kaluar, ku anëtarët diskutuan për rezultatin dëshpëruese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.
Disa anëtarë të partisë, përfshirë Hotin dhe Hykmete Bajramin - e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares të partisë - kërkuan largimin e Abdixhikut, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.
