Papritur, Putini është i gatshëm ta flijojë Iranin

Nga Ivana Stradner

Të enjten, presidenti Trump paralajmëroi Iranin se një "armatë" detare amerikane ishte nisur drejt Gjirit. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka këshilluar qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Iranit. Teksa Uashingtoni lë të kuptohet se sulmet ndaj Iranit mbeten një mundësi, në një kohë kur po shtohen protestat kundër regjimit, kriza ka nxjerrë në pah kufijtë e marrëdhënieve të Rusisë me Republikën Islamike.

Edhe pse Moska dhe Teherani kanë bashkëpunuar prej kohësh kundër Perëndimit, Rusia nuk është e gatshme të rrezikojë veten për Iranin. Shtetet e Bashkuara duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë për t'u treguar partnerëve të tjerë të Putinit sa e zbrazët është miqësia e Kremlinit.

Që nga rënia e monedhës lokale iraniane me 28 dhjetor, protesta kanë shpërthyer në gjithë vendin. Pas raportimeve për mijëra viktima, Trump ka kërcënuar me ndërhyrje dhe u ka bërë thirrje iranianëve: "VAZHDONI PROTESTAT … NDIHMA PO VJEN".

Gjatë një takimi me 12 janar me homologun e tij iranian, Sergei Shoigu, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, "dënoi përpjekjen e fundit të forcave të huaja për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit". Moska është e kujdesshme ndaj çdo ndërhyrjeje të mëtejshme ushtarake amerikane ose izraelite në Iran dhe nuk dëshiron të shohë rrëzimin e regjimit mik në Teheran nga një kryengritje e mbështetur nga SHBA.

Gjatë dekadës së fundit, Irani dhe Rusia kanë ndërtuar një marrëdhënie strategjike. Pavarësisht një historie mosbesimi të ndërsjellë, ky partneritet u forcua pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Irani e ka furnizuar Rusinë me armë për luftën, veçanërisht me sasi të mëdha dronësh kamikazë Shahed me rreze të gjatë, të përdorur për bombardimin e infrastrukturës civile.

Në këmbim, Moska i ofroi Teheranit bashkëpunim të paprecedentë në mbrojtje, duke përfshirë edhe një shitje të mundshme të avionëve luftarakë Su-35, një përmirësim i madh për forcën ajrore të vjetëruar të Iranit.

Megjithëse Irani mbetet partner i rëndësishëm, varësia e Moskës nga Teherani është zbehur. Me ndihmën iraniane, Rusia lokalizoi prodhimin e dronëve Shahed në vitin 2023. Aktualisht, Kina dhe Koreja e Veriut janë mbështetës shumë më të rëndësishëm të përpjekjeve ushtarake të Rusisë. Partneriteti ruso-iranian mori goditje edhe në dhjetor 2024 me rrëzimin e Bashar al-Assadit në Siri, të cilin Moska dhe Teherani e kishin mbajtur në pushtet që nga viti 2015.

Në janar të vitit 2025, Rusia dhe Irani nënshkruan një "traktat partneriteti strategjik gjithëpërfshirës" që mbulon të gjitha aspektet e marrëdhënies, përfshirë bashkëpunimin kundër sanksioneve perëndimore. Por, edhe pse traktati përshkruan forma të ndryshme bashkëpunimi ushtarak, ai nuk përfshin angazhim për mbrojtje të ndërsjellë. Rusia, që synon të ruajë marrëdhënie me të gjithë aktorët në Lindjen e Mesme, nuk dëshiron të investohet plotësisht me Iranin. Po ashtu, Moska nuk dëshiron të rrezikojë veten në një konflikt ku interesat e saj thelbësore nuk janë në lojë.

Kufijtë e angazhimit të Rusisë (dhe të Kinës) ndaj Iranit u panë qartë verën e kaluar, kur ushtritë izraelite dhe më pas amerikane e poshtëruan regjimin në Teheran. Izraeli shkatërroi shpejt mbrojtjen ajrore të Iranit (përfshirë sisteme raketore të prodhuara nga Rusia) dhe aftësitë e raketave balistike, duke hapur rrugën për goditje ndaj programit bërthamor iranian. Edhe pse Teherani dërgoi ministrin e jashtëm Abbas Araghchi për t'u takuar me Putinin, ai u kthye duarbosh.

Në krizën aktuale, Moska duket sërish e dorëzuar të bëjë rolin të spektatorit. Madje edhe deklaratat e saj dënuese duken gjysmake.

Vladimir Putini i frikësohet ndryshimit të regjimit, sepse kjo do ta destabilizonte Rusinë, dhe me 16 janar ai ofroi vetëm ndërmjetësim. Prioriteti i Putinit është të qëndrojë në marrëdhënie të mira me Trump-in, mes bisedimeve për paqe mbi Ukrainën, ndaj ai është distancuar duke lënë Ministrinë e Jashtme të marrë drejtimin. Zëdhënësja Maria Zakharova i quajti kërcënimet e Trump-it "krejtësisht të papranueshme", ndërsa ministri i jashtëm Sergey Lavrov theksoi se asnjë palë e tretë nuk mund të ndryshojë "natyrën themelore të marrëdhënies mes Moskës dhe Teheranit".

Maksimumi që mund të bëjë Moska është të furnizojë Teheranin me armë, por edhe kjo vështirë se do të kishte efekt vendimtar. Mes 27 dhjetorit dhe 1 janarit, disa avionë transporti Il-76 rusë dhe bjellorusë fluturuan drejt Iranit, duke transportuar ngarkesa të panjohura. Irani mund të kërkojë ndihmën e Rusisë për të rindërtuar mbrojtjen ajrore, por kjo kërkon kohë, dhe Moska aktualisht është e përqendruar te nevojat e veta ushtarake në Ukrainë.

Prej vitesh, Rusia ka punuar pa pushim për ta paraqitur NATO-n si një "tigër prej letre". Tani Uashingtoni ka një mundësi për ta kthyer lojën. Edhe ndërsa Presidenti Trump vazhdon negociatat me Rusinë, qeveria amerikane duhet të mendojë për përdorimin e operacioneve të ndikimit për t'u treguar partnerëve të tjerë të Moskës se, po të vinte puna, Putini do t'i flijonte edhe ata. / The Telegraph – Syri.net/