SHBA 'PUSHTOHET' NGA NGRICA/ Temperaturat zbresin në -46 gradë Celcius, 10 mijë fluturime të anuluara dhe qindra mijëra familje pa energji
Shtetet e Bashkuara janë goditur nga një stuhi dimërore me përmasa historike, e cila ka përfshirë pothuajse dy të tretat e territorit të vendit, duke vënë në alarm autoritetet federale dhe shtetërore.
Temperaturat ekstreme kanë zbritur deri në -46 gradë Celsius në zonat veriore, ndërsa qytete të mëdha si Çikago, Nju Jork dhe Minneapolis po përballen me të ftohtë rekord dhe erëra të rrezikshme për jetën.
Meteorologët paralajmërojnë se këto kushte mund të shkaktojnë ngrirje të trupit brenda pak minutash.
Në të paktën 12 shtete, përfshirë Teksasin, Arkansasin, Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa Garda Kombëtare është vënë në gatishmëri për të ndihmuar në menaxhimin e emergjencave.
Reshjet e dendura të borës dhe shiu i ngrirë kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, duke lënë qindra mijëra familje pa drita dhe ngrohje. Vetëm në Teksas dhe Oklahoma, dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur pa energji, ndërsa linjat elektrike dhe pemët janë rrëzuar nga pesha e akullit.
Situata ka paralizuar edhe transportin ajror. Mbi 10 mijë fluturime janë anuluar. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe të qëndrojnë në shtëpi.
Në shumë qytete, raftet e dyqaneve janë zbrazur, ndërsa qytetarët po furnizohen me ushqime, ujë dhe ilaçe, nga frika se stuhia mund të zgjasë edhe për disa ditë.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron se deri në 220 milionë njerëz mund të preken drejtpërdrejt nga kjo valë ekstreme e të ftohtit, e cilësuar si një nga stuhitë dimërore më të rrezikshme të viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.
