Ndërsa Kili digjet nga zjarret masive, një klinikë e improvizuar lufton për të shpëtuar kafshët e mbijetuara
Disa janë të frikësuar, disa të tjerë të dehidratuar, shumica janë djegur. Për t’u ofruar ndihmë kafshëve shtëpiake – të prekura nga zjarret e mëdha në Kili, brigada e qenve të policisë kombëtare dhe ekipet e vullnetarëve po punojnë për tu ofruar ndihmën e parë, sipas AP.
“Qëllimi ynë kryesor është të ndihmojmë kafshët që janë shpëtuar, janë gjetur në rrënoja, në hi, ose që kanë arritur të shpëtojnë me pronarët e tyre, por kanë pësuar plagë për shkak të këtij zjarri masiv”, tha Angiella Scalpello, një veterinere nga skuadra e qenve e policisë hetimore.
Brenda një furgoni të vogël, Scalpello dhe veterinerë të tjerë po trajtojnë mace, qen dhe kafshë të tjera në një klinikë të improvizuar.
Pothuajse të gjitha kafshët, janë prekur nga zjarri masiv – pasi kanë kaluar ditë nën rrënojat e asaj që dikur ishin shtëpi, automjete ose shkolla.
Qyteti i vogël i Lirquén, në Kilin jugqendror ishte qendra e zjarreve shkatërruese që kanë qenë duke u djegur prej disa ditësh.
Me rreth 20 000 banorë, zjarri përfshiu 80% të qytetit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në të gjithë vendin, zjarret kanë shkaktuar të paktën 20 të vdekur dhe gati 300 të plagosur.
Shumë nga pacientët me gëzof të trajtuar në klinikën mobile u gjetën pas zjarreve vdekjeprurëse.
“Zakonisht kemi gjetur mace që strehoheshin në qoshe të vogla që i mbijetuan zjarrit”, tha veterineri Juan Vivanco, i cili gjithashtu punon në njësi.
Ndërsa qyteti vlerëson dëmet dhe përpjekjet për heqjen e mbeturinave vazhdojnë, pritet që më shumë kafshë të shpëtohen në ditët në vijim.
“Kemi gjetur gjithashtu disa kafshë shtëpiake tashmë të ngordhura… kjo ndodh rregullisht”, tha Vivanco.
Sapo mbërrijnë në klinikën mobile, kafshët shtëpiake marrin lëngje intravenoze, një kontroll të shenjave jetësore dhe trajtohen për plagët. Rastet më të rënda dërgohen në spitalet veterinare.
Në tre ditët e fundit, gati 20 000 banorë të Lirquén kanë qenë më të prekurit nga zjarri i masiv i Trinitarias, i cili ka përfshirë një siperfaqe mbi 140 kilometra katrorë në rajonin Bío Bío dhe është zjarri më shkatërruesi midis 30 zjarreve që digjen aktualisht në vend.
Kjo tashmë konsiderohet si një nga emergjencat më të rënda në vitet e fundit në Kili, pas zjarreve masive që shkaktuan më shumë se 130 të vdekur, dy vjet më parë.

