EUROPOL "ZBARKON" NË KOSOVË/ Policia sekuestron mbi 80 kg lëndë narkotike, arrestohet tre shtetas

Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të koduar “Bregdeti”, ku janë arrestuar tre të dyshuar.

Operacioni ka nisur disa muaj më parë dhe përfshiu kontrolle në Merdarë dhe në banesat e të dyshuarve në Godishnjak të Podujevës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një kamioni të ndaluar pranë pikëkalimit kufitar në Merdarë, u gjetën 68 pako marihuanë, me peshë 76.8 kilogramë.

Në shtëpinë e të dyshuarit H.S., autoritetet sekuestruan edhe armë zjarri dhe fishekë.

Në bastisjet e tjera janë gjetur edhe 4.454 kilogramë marihuanë dhe një armë me gaz. Të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit të shtetit.

Policia e Kosovës ka theksuar se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in, duke vijuar luftën kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.