Trump 'SHPËRTHEN': Putin dhe Zelensky kanë një urrejtje jo normale dhe krijon pengesë në marrëveshje

Pas fjalimit të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan Donald Trump ka folur në një bashkëbisedim mbi situatën globale, duke u ndalur veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës.

Trump u shpreh se fillimisht kishte menduar se konflikti do të ishte i lehtë për t’u zgjidhur, por sipas tij, situata është ndërlikuar ndjeshëm për shkak të armiqësisë së thellë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Ka shumë urrejtje mes Putinit dhe Zelenskyt. Kjo nuk është e mirë. Është një urrejtje jo normale,” deklaroi presidenti amerikan.

Ai theksoi se si Rusia ashtu edhe Ukraina janë të interesuara për një marrëveshje paqeje dhe se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të luajnë rolin e ndërmjetësit.

Sipas Trump, palët kanë qenë disa herë pranë një marrëveshjeje, por procesi ka dështuar për shkak të refuzimeve nga njëra apo tjetra palë.

“Jemi afër. Në shumë momente kemi qenë shumë pranë një marrëveshjeje me Rusinë, por më pas Zelensky refuzon, ose ndodh e kundërta. Është shumë e vështirë të ruash balancën,” u shpreh ai.

Trump e cilësoi situatën në Ukrainë si një “gjakderdhje të tmerrshme”, duke vënë theksin te përdorimi masiv i dronëve në luftë. “Dronët po vrasin mijëra njerëz. Duhet ta ndalojmë këtë,” tha ai.

Presidenti amerikan bëri të ditur se pritet të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë ditës, duke shtuar se palët ndodhen në një moment vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

“Janë në një pikë ku mund të bëjnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë, janë budallenj – dhe kjo vlen për të dyja palët,” u shpreh Trump, duke shtuar se beson se refuzimi i një marrëveshjeje do të ishte një gabim i rëndë.