The Guardian/ “Nuk mund të heshtja”: I burgosuri palestinez rrëfen abuzimet se*suale në burgjet izraelite
Sami al-Saei tregon se dëgjoi rojet e burgut izraelit duke qeshur gjatë përdhunimit, përpara se ta linin të shtrirë në dysheme, me sy të lidhur dhe me duar të prangosura, ndërsa ata bënin pushim për cigare.
Sipas tij, të paktën një nga personat e pranishëm e kuptoi se po kryhej një krim dhe ndërhyri jo për ta ndalur torturën, por për të parandaluar dokumentimin e saj. Al-Saei thotë se dëgjoi dikë duke paralajmëruar: “Mos bëni foto, mos bëni foto”, ndërsa sulmi vazhdonte.
Ai thotë se pati gjakderdhje për më shumë se tre javë pas sulmit, i cili ndodhi pak kohë pasi u arrestua në shkurt 2024. Al-Saei përshkruan tortura seksuale që zgjatën mbi 20 minuta, përfshirë rrahje, ushtrim force ekstreme ndaj organeve gjenitale dhe penetrim anal të detyruar me dy objekte të ndryshme.
“Iu rezistova sa munda, por nuk ia dola. Dhimbja ishte e padurueshme,” tha ai në një intervistë. Sipas rrëfimit, pas torturës ai u rrëzua dy herë kur u urdhërua të ngrihej dhe të ecte. Më pas u transferua në një qeli të mbipopulluar, pa marrë asnjë trajtim mjekësor, dhe u detyrua të ndalonte gjakderdhjen me letër higjienike.
Babai 47-vjeçar i gjashtë fëmijëve u mbajt pa akuzë dhe pa gjyq deri në qershor 2025. Rreth 40 ditë pas lirimit, ai publikoi një video në TikTok ku rrëfente abuzimin, duke sfiduar stigmën shoqërore dhe paralajmërimet izraelite kundër denoncimeve publike.
“Nuk mund të heshtja. Kam përgjegjësi morale të tregoj çfarë më ndodhi mua dhe të tjerëve,” u shpreh ai.
“Një rrjet kampesh torture për palestinezët”
Dhuna seksuale e gjerë dhe ekstreme në burgjet civile dhe ushtarake izraelite është dokumentuar nga vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, përfshirë mjekë, prokurorinë ushtarake izraelite dhe Komitetin e OKB-së kundër Torturës.
Organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem përshkroi një “model të rëndë dhune seksuale në qendrat e ndalimit dhe burgjet”, në një raport të publikuar të martën. Raporti dokumenton raste që variojnë nga kërcënime, zhveshje të detyruara deri te sulme seksuale, përfshirë rrahje që shkaktojnë dëmtime serioze dhe penetrim anal të detyruar.
Shërbimi i Burgjeve të Izraelit i mohoi kategorikisht akuzat, duke thënë se të gjithë të burgosurit mbahen sipas ligjit dhe me akses në kujdes mjekësor. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk reaguan menjëherë ndaj kërkesave për koment.
Raporti i B’Tselem thekson se pas 7 tetorit 2023, qendrat e ndalimit u shndërruan në një rrjet ku abuzimi ndaj të burgosurve u bë normë e pranuar. Sipas organizatës, torturat ndaj palestinezëve janë normalizuar në diskursin publik izraelit dhe gëzojnë mbështetje politike.
Në vitin 2024, prokurorët ushtarakë izraelitë ngritën akuza ndaj disa ushtarëve për një rast përdhunimi në qendrën ushtarake të ndalimit Sde Teiman, një nga rastet e rralla të ndjekjes penale për dhunë seksuale pas tetorit 2023.
Drejtoresha ekzekutive e B’Tselem, Yuli Novak, tha se torturat duhet të kuptohen në kontekstin e dehumanizimit dhe dhunës së gjerë. “Regjimi izraelit i ka shndërruar burgjet në kampe torture për palestinezët,” u shpreh ajo, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht dënimeve, nuk ka ndërhyrë në mënyrë efektive.
Raporti dokumenton edhe forma të tjera torture dhe mohimin sistematik të kujdesit mjekësor, çka ka çuar në dëmtime të pakthyeshme dhe vdekje. Të paktën 98 palestinezë kanë humbur jetën në burgjet izraelite që nga 7 tetori 2023.
Shumë familje mbeten pa përgjigje dhe pa trupat e të afërmve të tyre. “Nata më sjell vetëm pamje të torturës,” thotë nëna e një të ndaluari që vdiq në burg, duke përshkruar dhimbjen e vazhdueshme të familjeve që presin drejtësi.
Pavarësisht pasojave personale, al-Saei thotë se nuk pendohet që foli. “E pashë qartë se shumë të tjerë ishin sulmuar. Edhe nëse nuk flisnin, ishte e dukshme,” përfundoi ai./The Guardian