Rikthehet Champions League, supersfida Inter – Arsenal më e spikatura

Pas më shumë se një muaji pritjeje, të apasionuarit pas futbollit kanë mundësinë të shijojnë sërish emocionet e kompeticionit më madhështor në botë, UEFA Champions League. Të martën luhen ndeshjet e shtata të fazës së grupeve, ku nuk mungojnë supersfidat. Një e tillë është ajo që zhvillohet në Milano, mes Interit vendas dhe Arsenalit, skuadrës së vetme të pamposhtur këtë sezon në Ligën e Kampionëve.

Të dyja ekipet vijnë si kryesuese të kampionateve respektive: Interi në Serinë A dhe Arsenali në Premier League. Forma e të dyja ekipeve është pozitive, megjithatë në letër britanikët cilësohen favoritë. Ndeshje të tjera që pritet të dhurojnë spektakël janë Real Madrid – Monaco, Sporting – PSG dhe Tottenham – Dortmund.

Kampionët në fuqi, PSG, po kalojnë një formë me luhatje, ndërsa sfida ndaj Sporting duket e kalueshme. Të martën zbresin në fushë edhe kampionët e Italisë, Napoli, si dhe Manchester City dhe Leverkusen.

Kujtojmë që deri më tani vetëm një skuadër ka fituar të gjitha ndeshjet e luajtura: Arsenal, e cila në 6 javë ka grumbulluar 18 pikë, më shumë se çdo ekip tjetër.