Partizani rikthehet te fitorja, trajneri Kërnaja: E merituam!
Partizani vendosi t’i japë fund serisë së tre humbjeve radhazi në kampionat, duke triumfuar 2-1 ndaj Teutës në javën e 20-të të Kategorisë Superiore, në stadiumin “Arena e Demave”.
Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 32-të, me golin e shënuar nga Rrok Toma, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi.
Në pjesën e dytë, Teuta reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 80-të me golin e Jazxhit, duke rihapur ndeshjen. Partizani nuk u dorëzua. Në minutën e 93, pas një sulmi të shpejtë nga e majta, Xhuliano Skuka asistoi për Contreras, i cili shënoi golin e fitores për “demat e kuq”.
Fitorja e ngjit Partizanin në vendin e pestë me 26 pikë, të barabarta me Teutën, e cila zbriti në vendin e gjashtë.
Tekniku i Partizanit, Oltijon Kërnaja komentoi fitoren 2-1 ndaj Teutës.
Aktivizimi i Skukës?
Ndoshta duhet të ishin pak më shpejt, por duke parë se duhet të bënim presing larg, me Tomën dhe Kontreras, kishim zgjedhur një mënyrë tjetër. Në momentin e duhur, u zgjidh si duhet. Ne e kishim menduar të zbrisnim Ismailin, të bënim katërshe, të linim Koten të lirë mes linjave. Duke ditur se Teuta 4-4-2 me presing. Funksionoi në pjesën e parë, t’i japim meritë Teutës që ka disa javë që nuk humbet. Është i fortë dhe nuk pëson shumë gola. Ne kishim pak probleme në organizim duke parë që dyshja në mbrojtje në qendër e ka ndeshjen e parë.
Aktivizimi i Sulos, a ishte i nxituar?
Nëse nuk do kemi guxim, problem është të fusim djem të rinj, problem mos të fusim. Ne e futëm për shkak të shtatlartësisë. Teuta futi të gjithë të gjatët. Ne kishim mangësi në centimetra, zgjodhëm atë në vendin e Buxhelajt për shkak të shtatlartësisë. T’i japim dorë një lojtari të ri, është me perspektivë.

