Sulmuesi dardan 6 gola larg Eto'o/ Shënon hat trick me Mallorcan

Vedat Muriqi po vendos me gërma të arta emrin e tij në historinë klubit të Mallorcas. Sulmuesi dardan realizoi 3 gola në sfidën ndaj Bilbaos në kampionat, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë i Mallorcas me 48 realizime. Vendin e parë e mban një emër i madh në futbollin botëror si Samuel Eto me 54 gola.

Në futboll ka emra që shënojnë gola, por ka dhe nga ata që shkruajnë histori. E këtë gjë po e bën Vedat Muriqi. Lojtari nga Prizreni po vendos me gërma të arta emrin e tij në historinë klubit të Mallorcas dhe La Ligas. Sulmuesi dardan realizoi 3 gola në duelin që skuadra e tij fitoi 3-2 ndaj Athletic Bilbaos në kampionat. Ishte pikërisht pirati, ashtu sic tifozët e ekipit ishullor e kanë pagëzuar me këtë noftë, ai që zhbllokoi duelin që pas vetëm 5 minutave lojë.

Sakaq, në minutën e 42-të, Muriqi fitoi dhe ekzekutoi një penallti. Portieri kundërshtar arriti ta ndalë goditjen e parë, por jo të dytën kur topi iu rikthye sërish bomberit dardan teksa këtë herë nuk fali dhe e dërgoi topin në fundin e rrjetës.

Pjesa e parë e sfidës përfundoi me shifrat 2-2. Ndërkohë Në minutën e 69 erdhi edhe goli i tretë i Muriqit. Sërish nga 11 metra larg portës, 31-vjeçari nuk gaboi duke kompletuar tregolëshin personal.

Me këtë paraqitje të jashtëzakonshme, Vedat Muriqi shkon në 14 gola në 20 javë kampionat, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve të La Liga. Përpara tij qëndron vetëm Kiljan Mbape me 19 realizime.

Me 48 gola të shënuar në La Liga për Mallorcan, Muriqi tashmë është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit. Vendin e parë e mban një emër i madh në futbollin botëror si Samuel Eto me 54 realizime.