Vitinha: Kujtimi që më motivon për PSG dhe Portugali
Mesfushori portugez i PSG-së, Vitinha, ka zbuluar se humbja e papritur e miqve të tij të ngushtë, vëllezërve Diogo Jota dhe André Silva, është kthyer në motivimin më të madh për Portugalinë drejt Botërorit 2026.
Fitues i çmimit “Mesfushori më i Mirë” në Globe Soccer Awards, Vitinha rrëfen emocionet që e shoqërojnë prej gjashtë muajsh dhe thotë se skuadra do të luftojë “për ta”. Ai kujton humbjen e dhimbshme në Katar nga Maroku si një mësim të rëndësishëm, por beson se Portugalia është sot ndër ekipet më të forta në botë, sidomos pas triumfit ndaj Spanjës në Ligën e Kombeve.
Për Vitinhën, sezoni i kaluar te PSG nën drejtimin e Luis Enrique ka qenë vendimtar, duke e shndërruar atë në një lider në fushë dhe lojtarin më të përdorur në Europë me 72 ndeshje. Ai e cilëson trajnerin si një “gjeni taktik”, por mbi të gjitha vlerëson besimin dhe respektin që Enrique u jep futbollistëve.
Mesfushori thekson se motivimi dhe kujtimi i miqve të tij do të jenë forca shtytëse për të arritur më shumë suksese me PSG-në dhe, më e rëndësishmja, për të luftuar për ëndrrën më të madhe: Botërorin me Portugalinë në emër të Diogo Jotës dhe André Silvës.
