DY TABLO NË NJË/ Piktura e blerë si anonime rezulton studim i rrallë i Peter Paul Rubens
Një pikturë e blerë në ankand si vepër anonime është identifikuar si studim origjinal i Peter Paul Rubens, duke fshehur dy portrete në të njëjtën tablo. Analiza e ekspertëve zbuloi se nën portretin e burrit me mjekër ndodhet fytyra e një gruaje të re me gërsheta. Zbulimi konsiderohet i jashtëzakonshëm, pasi studime të ngjashme të Rubens-it shiten sot për mbi 1 milion euro.
Një zbulim i rrallë në botën e artit ka dalë në dritë pas analizave të kryera mbi një pikturë të blerë në ankand online për më pak se 100 mijë euro. Fillimisht e listuar si punim i një “mjeshtri anonim të shkollës flamande”, vepra rezultoi të ishte studim origjinal i piktorit të madh flamand Peter Paul Rubens.
Piktura, e cila paraqet një burrë të moshuar me mjekër të dendur, ngjau menjëherë si “Rubens-eskë” për koleksionistin belg Klaas Muller, i cili e bleu në bazë të një intuitë personale. Kur vepra mbërriti në shtëpinë e tij, cilësia e saj e lartë dhe shtresa e vjetër e llakut që e kishte mbrojtur për dekada i dhanë koleksionistit bindje të fortë se kishte në dorë diçka të çmuar.
Pas disa muajsh studimi nga historiani i artit Ben van Beneden, ish-drejtor i Rubens House, u konfirmua se tabloja kishte gjasa shumë të forta të ishte një vepër pune e vetë Rubens-it. Por surpriza më e madhe u zbulua gjatë skanimeve të mëvonshme: nën portretin e burrit fshihej një portret krejt tjetër, ai i një gruaje të re me gërsheta.
Ekspertët e quajtën këtë një rast të rrallë të përdorimit të kanavacës si material pune, duke sugjeruar se Rubens ka ripërdorur tabelën për studime të ndryshme figurash. Portreti i burrit shfaqet në disa prej veprave të njohura të Rubens-it, përfshirë “Raising of the Cross” në Katedralen e Antwerp-it dhe “Adoration of the Magi” në Prado.
Zbulimi e rrit ndjeshëm vlerën e pikturës, pasi studime të ngjashme të Rubens-it kanë arritur shifra që variojnë nga 500 mijë deri në mbi 1 milion paund në ankande ndërkombëtare.
Zbulimi konsiderohet një nga rastet më të veçanta të identifikimit të veprave të humbura të mjeshtrit flamand.
