Irani urdhëron shtypjen e protestave! Ajatollah Ali Khamenei akuzon SHBA-në dhe Izraelin për destabilizim

Udhëheqësi supreme i Iranit Ajatollah Ali Khamenei, bëri thirrje për ndërhyrje të ashpër ndaj demostruesve në vend, duke i cilësuar ata si rebelë që duhen ndaluar. Ai i ka cilësuar protestuesit si rebelë të punësuar nga armiku. Deklarata e liderit vjen pas një jave protestash të dhunshme të nxitura nga kriza ekonomike në Iran ku raportohet për të paktën 15 viktima deri më tani

Lideri supreme i Iranit Ajatollah Ali Khamenei ka kërkuar shtypjen me forcë të protestave që kanë shpërthyer në vend kohët e fundit.

Në fjalimin e tij të parë që nga nisja e trazirave, Ali Khamenei bëri një dallim të prerë mes qytetarëve me shqetësime ekonomike dhe atyre që ai i quajti "rebelë të punësuar nga armiku".

Duke akuzuar drejtpërdrejt fuqitë e huaja si SHBA-ja dhe Izraeli për nxitjen e dhunës, ai kërkoi që rendi të vendoset me çdo kusht.

Situata është tensionuar më tej pas paralajmërimeve të forta nga Uashingtoni, ku Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë nëse Teherani vijon me vrasjen e protestuesve paqësorë.

Këto komente kanë shkaktuar reagime të menjëhershme nga zyrtarët iranianë, të cilët kanë kërcënuar trupat amerikane në Lindjen e Mesme. Ky konfrontim diplomatik po zhvillohet paralelisht me operacionet ushtarake amerikane në rajon, duke rritur frikën për një përshkallëzim ndërkombëtar.

Në terren, bilanci i dhunës po rëndohet me raportime për viktima në qytete kyçe si Komi dhe Harsini, ku përfshihen sulme me granata dhe përleshje me armë zjarri.

Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë se demonstratat janë shtrirë në mbi 170 vendndodhje në të gjithë vendin, ndërsa forcat paraushtarake "Basij" kanë nisur dislokimin për të shpërndarë turmat. Edhe pse intensiteti nuk ka arritur ende nivelin e kryengritjes së vitit 2022, brutaliteti i ndërhyrjeve të fundit tregon një strategji shtetërore për shtypje totale.

Pavarësisht përpjekjeve të Presidentit Masoud Pezeshkian për të hapur dialog, pushteti real mbetet në duart e Gardës Revolucionare dhe Liderit Suprem, të cilët deri më tani kanë zgjedhur forcën mbi diplomacinë.

Me ekonominë në rrënim pas sulmeve të fundit në pikat bërthamore dhe mungesës së negociatave për sanksionet, Irani ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm.

Analistët parashikojnë se regjimi do të përdorë aparatin masiv të sigurisë për të mbajtur kontrollin, pavarësisht kostos njerëzore.