KAOS FLUTURIMESH NË EVROPË/ Udhëtarët në Holandë, Greqi e Itali ndeshen me anulime fluturimesh e vonesa

Një valë trazirash ka përfshirë trafikun ajror në disa vende të Europës, duke prekur mijëra udhëtarë. Aeroporte në Holandë, Greqi dhe Itali janë përballur me anulime dhe vonesa masive. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë.

Një valë trazirash në trafikun ajror ka prekur udhëtarët në disa prej destinacioneve më të rëndësishme të Evropës këtë javë, me mijëra fluturime të vonuara ose të anuluara, duke shkaktuar situata të tensionuara dhe frustrim tek pasagjerët.

Aeroporti kryesor i Holandës, Amsterdam Schiphol është goditur rëndë nga stuhitë e fundit, të cilat sollën mot të keq me borë e erëra të forta, duke anuluar më shumë se 325 fluturime dhe qindra të tjerë janë vonuar, ndërsa disa linja të tjera si KLM dhe EasyJet janë detyruar të ndryshojnë intinerarin e tyre dhe të ndalojnë përkohësisht shërbimin.

Në  Greqi nuk ka qenë moti shkaku i drejtpërdrejtë i anulimeve të fundit, por shkaqet ende të paqarta të problemet me frekuencat e radiove, ndërkohë që autoritetet thanë se po punojnë për të zbuluar shkaqet dhe për të zgjidhur situatën.

Një nga rastet më dramatike të anulimeve vjen nga Aeroporti i Bergamos në Itali një qendër prej nga fluturojnë shumë linja drejt destinacioneve europiane. Kjo bazë u detyrua të pezullonte operacionet pasi sistemi i tij i udhëzimit të uljes pësoi defekt duke e bërë të pamundur operimin normal të avionëve.

26 fluturime u anuluan, 6 u devijuan dhe 7 të tjera u riorganizuan për ditët e ardhshme, ndërsa mijëra udhëtarë u bllokuan në terminal, falë ndërhyrjes teknike aeroporti ka rifilluar gradualisht operimin, por lista e anulimeve dhe vonesave vazhdon të jetë problem.

Ekspertët sugjerojnë që përtej shkaqeve të menjëhershme si moti apo defektet teknike, shqetësimet e mëdha të fluturimeve në Europë lidhen edhe me mungesën e stafit, presionin në sistemin e kontrollit të trafikut ajror dhe ngarkesën  e përgjithshme të rrjetit ajror.