VENUS WILLIAMS BËN HISTORI/ Legjenda e tenisit botëror rikthehet në Australian Open

Venus Williams, 45 vjeç, do të rikthehet në Australian Open pas marrjes së një “wild card”. Kampionia shtatë herë e Grand Slam do të bëhet tenistja më e madhe në moshë që merr pjesë në turneun australian, duke shkruar një tjetër kapitull historik në karrierën e saj.

Tenistja amerikane Venus Williams do të rikthehet në fushat e Australian Open, pasi organizatorët i kanë akorduar një “wild card” për edicionin që nis më 18 janar në Melburn.

Në moshën 45-vjeçare, Williams do të hyjë në histori si tenistja më e moshuar që merr pjesë në turneun prestigjioz, duke thyer rekordin e mëparshëm të mbajtur nga japonezja Kimiko Date.

Kjo do të jetë paraqitja e saj e 22-të në turneun australian, plot 28 vite pas debutimit të saj në vitin 1998, ku në raundin e dytë mposhti motrën Serena dhe u ndal në çerekfinale nga Lindsay Davenport. Venus ka arritur dy herë në finale në Melbourne, në vitet 2003 dhe 2017, por pa arritur të fitojë titullin.

Para Australian Open, Williams do të marrë pjesë në turneun e Auckland në Zelandën e Re, gjithashtu me ftesë speciale, si dhe në një tjetër turne përgatitor në Hobart.

Ajo ka deklaruar se është e emocionuar për rikthimin në Australi, një vend që, sipas saj, ka pasur gjithmonë një domethënie të veçantë në karrierën e saj.

Me 54 fitore dhe 21 humbje në Melbourne Park, Venus Williams mbetet një nga figurat më ikonike të historisë së tenisit botëror, ndërsa rikthimi i saj në fushë pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve dhe mediave në mbarë botën.