INTERVISTA/ Ish-Presidenti mesazh SPAK-ut: “Kujdes me ndalimet pa gjyq!” Alfred Moisiu “mesazh” edhe politikës: Nuk mundet që për çdo gjë të jeni kundër

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka zgjedhur ekranin e “Ora News” për të përcjellë mesazhet e tij jo vetëm për klasën politike, por edhe urimet për shqiptarët në këtë prag të ndërrimit të viteve.

Teksa foli fillimisht për shëndetin e tij, Moisiu u shpreh se është njeri optimist nga natyra dhe si i tillë mundohet të jetë energjik.

Më pas ish-kreu i shtetit kishte dhe një mesazh për politikën në këtë moment festiv për vendin.

“Opozita duhet të jetë më bashkëpunuese, pasi nuk mundet të jetë gjithmonë në kundërshtim me mazhorancën. Pasi ka momente dhe probleme që duhet të përballohen bashkërisht dhe kërkohet një periudhë e gjatë. Ndaj duhet një mobilizim për bashkim si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën”, u shpreh Moisiu.

Nga ana tjetër, Ish-presidenti kishte kritika edhe për sistemin e ri të drejtësisë, i cili pavarësisht ndryshimit të madh që ka pësuar në funksionimin e tij duhet të bëjë kujdes me dosje t e mbartura.

“SPAK-u ka bërë një punë mjaft të madhe, por duhet përmirësuar puna e tyre. Mendoj se në çështjen e ushtrimit të masave ndaluese para zhvillimit të gjyqeve, duhet të jenë më të kujdesshëm. Në kuptimin që të mos shkojnë e ta arrestojnë tjetrin dhe t’i thonë: “Rri këtu ti sa të gjej provat unë”! Kjo nuk shkon! Në këtë aspekt, unë kam qenë dhe jam mbështetës i organeve të drejtësisë. Mirëpo sot drejtësia e re ka një pavarësi të cilën duhet ta ruajmë. Politika është mësuar ta zgjidhte si donte ajo, por tani si i thonë është bërë: “Ndalu Beg se ka hendek!””, u shpreh ndër të tjera Presidenti Alfred Moisiu.

PJESË NGA INTERVISTA

Z. President, fillimisht do doja t’ju pyes si keni qenë me shëndet? Si ka qenë ky vit në aspektin personal?

Vitet kalojnë, shëndeti nuk mund të rrijë njësoj, por nuk ka vend për t’u qarë. Nga natyra vetë jam pak optimist, pasi në fakt jeta kërkon optimizëm, pasi njeriu është e pamundur të mos ndeshet me situata dhe momente të vështira. Ndaj duhet pasur parasysh që moralisht dhe fizikisht optimizmi për të përballuar një situatë apo zhvillim akoma më të rëndë të situatës. Mosha bën të sajën, dihet.

Pavarësisht se vitet kalojnë, ju vazhdoni të jeni shumë aktiv. Si i keni parë zhvillimet politike në vend?

Gjithmonë për këtë problem kam qenë kritik. Në kuptimin se dua më të mirën për vendin tim. Në përgjithësi mund të them që Shqipëria ka ecur përpara, i ka hyrë hapave seriozë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, gjithashtu ka pasur dhe hapa drejt vendosjes së një drejtësie të vërtetë , duke filluar që nga procesi i hetimit e deri në gjykim.

Por, njëkohësisht ka pasur zhvillim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të turizmit, që është një çelës që e lëviz të gjithë ekonominë dhe infrastrukturën e vendit. Pa folur edhe për sjelljen e njerëzve. Pra, ka pasur një ecje pozitive nga pikëpamja e përgjithshme.

Por unë kam një vërejtje për politikën shqiptare. Opozita duhet të jetë më bashkëpunuese, pasi nuk mundet të jetë gjithmonë në kundërshtim me mazhorancën. Pasi ka momente dhe probleme që duhet të përballohen bashkërisht dhe kërkohet një periudhë e gjatë. Ndaj duhet një mobilizim për bashkim si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën.

Mund të duket si joreale kjo për të ndodhur në kushtet tona, por kjo është e domosdoshme për të pasur një të ardhme më të mirë. 

Z. President duket se sfida më e madhe sot për shqiptarët është sistemi i drejtësisë; pra një drejtësi e drejtë dhe lufta ndaj korrupsionit. Si i keni parë këto dy sfida gjatë këtij viti?

Organet e reja të drejtësisë kanë pasur përgëzimin e tyre, pasi njerëzit janë po ata, por përzgjedhja ka qenë e kujdesshme. Dhe pas kësaj kohe që vërtetë ka pasur zgjidhje të drejtësisë, por duhet të them që më parë ka pasur më shumë zgjidhje politike se sa sipas ligjeve të së drejtës.

Por sot është ndryshe. SPAK-u ka bërë një punë mjaft të madhe, por duhet përmirësuar puna e tyre. Mendoj se në çështjen e ushtrimit të masave ndaluese para zhvillimit të gjyqeve, duhet të jenë më të kujdesshëm. Në kuptimin që të mos shkojnë e ta arrestojnë tjetrin dhe t’i thonë: “Rri këtu ti sa të gjej provat unë”! Kjo nuk shkon! Në këtë aspekt, unë kam qenë dhe jam mbështetës i organeve të drejtësisë. Mirëpo sot drejtësia e re ka një pavarësi të cilën duhet ta ruajmë. Politika është mësuar ta zgjidhte si donte ajo, por tani si i thonë është bërë: “Ndalu Beg se ka hendek!”

Ndaj uroj që të ketë një rritje të mëtejshme dhe të mos zgjatet në kohë me dosjet se janë bërë shumë dhe duke u zgjatur në kohë, nuk i bën mirë vetë drejtësisë, pasi ndikojnë në efektin që kanë, por nganjëherë ndikojnë edhe në të kundërt.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ISH-PRESIDENTIN ALFRED MOISIU