ATA QË “MBROJNË” FESTAT/ Në detyrë për të garantuar sigurinë, jetën dhe qetësinë e të gjithëve

Ndërsa shumica festuan ardhjen e Vitit të Ri pranë familjeve, ata ishin në detyrë. Në heshtje, por me përgjegjësi, ruajtën sigurinë dhe jetën e të tjerëve.

Ersilio Bodlli, pjesë e Shërbimit Zjarrfikës, dhe Albana Koçiaj, në shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishin në punë natën e ndërrimit të viteve.

Në momentin kur akrepat e orës bashkohen në mesnatë, Ersilio  ishte në gatishmëri për të përballuar një zjarr, një aksident apo një emergjencë që nuk njeh festë.

Profesioni i zjarrfikësit është një betejë e përditshme me rrezikun, një profesion ku guximi, sakrifica dhe reagimi i shpejtë bëjnë diferencën mes jetës dhe humbjes.

Ndërkohë, në pavijonet e QSUT-së, Albana Koçiaj, shte pranë pacientëve, duke ofruar kujdes, shpresë dhe profesionalizëm.

Profesioni i saj nuk njeh orar dhe as festa.

Është një profesion human, ku çdo ndërrim është përgjegjësi dhe çdo natë shërbimi është një akt dashurie për jetën.

Ata nuk i trokasin gotat me familjen, por janë aty, në detyrë, me uniformë dhe përkushtim, në shërbim të të gjithëve.

Sepse ka profesione që nuk ndalen as në mesnatë. Ka njerëz që zgjedhin detyrën përpara festës. Dhe falë tyre, shoqëria ndihet më e mbrojtur, më e sigurt dhe më njerëzore.