Izraeli ashpërson rregullat, kufizon veprimtarinë humanitare në Gaza

Izraeli ka vendosur të revokojë licencat e 37 organizatave humanitare që veprojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.  Vendimi hyn në fuqi më 1 janar dhe ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare. Dhjetë vende perëndimore paralajmërojnë për pasoja serioze në krizën humanitare.

Një vendim i ri i qeverisë izraelite pritet të ndryshojë ndjeshëm panoramën humanitare në Gaza.

Se fundmi,  Tel Avivi zyrtar  ka njoftuar se do të revokojë licencat e 37 organizatave ndërkombëtare të ndihmës, duke u ndaluar atyre të vazhdojnë aktivitetin në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Mes organizatave të prekura janë emra të njohur si ActionAid, Këshilli Norvegjez për Refugjatët, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, CARE dhe Medical Aid for Palestinians. Operacionet e tyre do të përfundojnë brenda 60 ditëve.

Autoritetet izraelite thonë se grupet nuk kanë përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit, duke mos dorëzuar të dhëna të plota për stafin e tyre.

Sipas ministrisë përkatëse, kjo masë është e nevojshme për të parandaluar “infiltrimin e elementëve terroristë në strukturat humanitare”.

Vendimi është kritikuar ashpër nga ministrat e jashtëm të 10 vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë.

Ata paralajmërojnë se mbyllja e OJQ-ve do të ketë një ndikim të rëndë në kujdesin shëndetësor, ushqim, ujë dhe strehim, ndërsa situata humanitare në Gaza mbetet katastrofike.

Agjencitë e OKB-së theksojnë se OJQ-të ndërkombëtare drejtojnë shumicën e spitaleve fushore, shërbimeve të ujit dhe programeve të ushqyerjes për fëmijët, dhe se sistemi i ri rrezikon të paralizojë ndihmën jetike.

Izraeli këmbëngul se ndihma do të vazhdojë përmes kanaleve të miratuara, ndërsa organizatat humanitare dhe aleatët perëndimorë paralajmërojnë se pasojat për civilët e Gazës mund të jenë të rënda dhe afatgjata.