Prezantuesi i njohur italian nën hetim për ...

Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim penal ndaj prezantuesit të njohur televiziv Alfonso Signorini, i cili dyshohet për dhunë seksuale dhe zhvatje, pas një kallëzimi të bërë nga një i ri 27-vjeçar.

Sipas mediave italiane, kallëzimi është depozituar nga Antonio Medugno, model dhe tiktoker nga Napoli, i cili pretendon se ka qenë viktimë e presioneve dhe abuzimeve nga ana e Signorinit. Ai ka deklaruar se ngjarjet lidhen me premtime për pjesëmarrje në edicionin 2021 të emisionit “Grande Fratello Vip”.

Hetimi po drejtohet nga prokurorët Alessandro Gobbis dhe Letizia Mannella. Deri më tani, në këtë çështje ishte përfshirë edhe Fabrizio Corona, i cili po hetohet për shpërndarje të materialeve me përmbajtje intime që lidhen me këtë rast.

Sipas burimeve hetimore, autoritetet kanë sekuestruar materiale që lidhen me komunikimet mes Medugnos dhe Signorinit.

Pas nisjes së hetimeve, Alfonso Signorini ka vendosur të vetëpezullohet nga aktiviteti i tij në Mediaset, një vendim që është pranuar nga televizioni deri në përfundimin e hetimeve.

Mediat italiane raportojnë se ekziston mundësia që ai të mos rikthehet si drejtues i “Grande Fratello” në edicionin e vitit 2026, deri në sqarimin përfundimtar të çështjes nga drejtësia.