FFK përmbyll vitin 2025 me suksese historike për futbollin kosovar.

 

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, mbajti mbledhjen e fundit për këtë vit. Në rendin e ditës ishin miratimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar, përmbyllja e vitit 2025, përgatitjet për procesin zgjedhor dhe pika të tjera.

Presidenti Ademi vlerësoi vitin 2025 si jashtëzakonisht të suksesshëm, me rezultate pozitive të Kombëtares A, Kombëtares U21 dhe U17, si dhe të klubeve kosovare në arenën evropiane. Ai theksoi rëndësinë e ndeshjeve të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 dhe planin për zhvillimin e grupmoshave U15-U19.

FFK-ja gjithashtu theksoi rritjen e renditjes së Kosovës në UEFA dhe FIFA, përmirësimin e vlerës së Superligës dhe praninë e investitorëve seriozë në klubet kosovare. Përgatitjet për kuvendet zgjedhore janë duke u zhvilluar dhe Kuvendi Zgjedhor i FFK-së do të mbahet më 5 shkurt 2026.

Në fund, KE miratoi ndarjen e një fondi simbolik për dhurata të Vitit të Ri për fëmijët e Luginës së Preshevës.