Çfarë është kjo ditë? Ethet e 'Boxing Day', miliona njerëz dynden në dyqane

Sot, më 26 dhjetor, ka nisur ajo që njihet si “Boxing Day“, dita e uljeve të mëdha që pason festën e Krishtlindjes. Sipas raportimeve nga mediat kryesore ndërkombërkombëtare, radhët jashtë qendrave tregtare kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, veçanërisht në Britaninë e Madhe, Kanada dhe në SHBA-të.

Edhe pse kostoja e jetesës është rritur, ekspertët e ekonomisë thonë se konsumatorët po presin pikërisht këto ulje për të blerë pajisje elektronike dhe veshje që nuk i përballonin dot më parë.

Sipas Sky News-it, pritet që vetëm në Britani të shpenzohen miliarda paund brenda 24 orëve. Megjithatë, një pjesë e madhe e blerjeve po zhvendoset online, ku gjigantë si Amazon-i kanë shpallur oferta deri në 70%.

Ndryshe nga vitet e kaluara, disa marka të mëdha kanë vendosur t’i mbajnë dyqanet mbyllur sot për t’u dhënë mundësi punonjësve të pushojnë, duke i orientuar klientët drejt faqeve të internetit. Analistët e Bloomberg-ut vënë re se këtë vit njerëzit po tregohen më të matur, duke kërkuar vetëm produktet që janë vërtet të nevojshme.

Çfarë është “Boxing Day” dhe pse festohet?

“Boxing Day” (Dita e Kutive) festohet çdo vit më 26 dhjetor, një ditë pas Krishtlindjeve. Kjo festë e ka origjinën në Britaninë e Madhe dhe festohet kryesisht në vendet e Komonuelthit, si Kanada, Australia dhe Zelandë e Re. Megjithatë, vitet e fundit, për shkak të globalizimit dhe rëndësisë ekonomike, ajo është shtrirë si fenomen edhe në SHBA-të dhe vende të tjera.

Emri nuk ka lidhje me sportin e boksit. Ekzistojnë dy teori kryesore për zanafillën e tij:

•Kutitë e bamirësisë: Historikisht, në këtë ditë, kishat hapnin kutitë e lëmoshave ku besimtarët kishin lënë para gjatë vitit dhe ua shpërndanin ato të varfërve.

•Dhuratat për shërbyesit: Në kohët e vjetra, shërbëtorët e shtëpive të mëdha duhej të punonin në ditën e Krishtlindjeve. Prandaj, më 26 dhjetor, atyre u lejohej të shkonin pranë familjeve të tyre dhe pronarët u jepnin “kuti” me dhurata, ushqime ose para si shpërblim.

“Boxing Day”: Futboll dhe ulje çmimesh

Sot, kjo ditë njihet për dy shtylla kryesore:

•Konsumi: Konsiderohet si një nga ditët më të rëndësishme për ekonominë. Dyqanet e mëdha ofrojnë ulje drastike për të zbrazur magazinat nga stoqet e mbetura pas festave.

•Sporti: Në Britaninë e Madhe, kjo është një ditë e shenjtë për futbollin. Premier League luan një javë të plotë ndeshjesh, ku stadiumet mbushen plot me familje që festojnë.