SHQIPËRIA E 63-TA NË FIFA/ Kombëtarja nuk ka pësuar ndryshim në renditje nga muaji i kaluar. Kosova, e 80-ta

Shqipëria e ka mbyllur vitin 2025 në vend të 63-të në renditjen botërore të FIFA-s. Kuqezinjtë nuk kanë pësuar ndryshime në renditje nga muaji, duke ruajtur të njëjtin pozicion.  Në të njëjtën situatë renditjeje ndodhet edhe përfaqësuesja e Kosovës, e cila mbetet në vend të 80-të.

Renditja Botërore e FIFA-s për muajin dhjetor, e fundit për këtë vit, nuk ka sjellë ndryshime në klasifikim për Shqipërinë. Kombëtarja mbetet në vend të 63 në botë.

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 1401 pikë, 3 pikë më pak se Burkina Faso që renditet një vend më lart.

Skuadra e Silvinjos nuk ka zhvilluar ndeshje në dhjetor, ashtu si edhe ekipet europiane dhe për këtë arsye mbetet në të njëjtin pozicion si muajin e kaluar.

Shqipëria mund të ruajë të njëjtin pozicion deri në mars, teksa do të luajë sfidën e plej ofit për kualifikueset e Botërorit ndaj Polonisë.

Po ashtu, as Kosova nuk ka pësuar ndryshime në klasifikimin e FIFA. “Dardanët” e mbyllën këtë vit në vendin e 80. Ky  është pozicionimi më i mirë i Kosovës që nga momenti kur u anëtarësua në FIFA.

Nuk ka ndryshime as në dhjetëshen e parë të renditjes botërore. Spanja ruan vendin e parë, ndjekur nga Argjentina dhe Franca. Në 5 vendet e para futen edhe Anglia dhe Brazili.

Renditja vijon me Portugalinë, Holandën, Belgjikën, Gjermaninë, ndërsa 10-shen më të mirë e përmbyll Kroacia.

Ekipet që kanë ndryshuar renditje janë nga Azia dhe Afrika. progresin më të madh në muajin dhjetor e ka bërë Vietnami me 3 vende, ndërsa regresin më të madh e ka bërë Malajzia që ka zbritur 5 pozicione.