Bënë namin në Itali/ Vjedhje gjatë natës në apartamente, prangosen tre shqiptarë

Tre shqiptarë janë arrestuar gjatë natës nga Karabinierët e Kompanisë së Osimos, në Itali, pasi u kapën në flagrancë për një seri vjedhjesh në apartamente.

Të arrestuarit nuk rezultonin banorë të provincës së Ankonës, por ishin të njohur më parë për forcat e rendit për vepra penale të së njëjtës natyrë.

Operacioni erdhi pas një rritjeje të ndjeshme të vjedhjeve në banesa, të regjistruara ditët e fundit kryesisht në zonat e Val Musone dhe Vallesina.

Pas analizës së fenomenit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e tjera të Armatës së Karabinierëve në nivel provincial, hetuesit përqendruan vëmendjen te tre persona të dyshimtë, të panjohur në zonë.

Të dyshuarit, duke lëvizur me një automjet me qira, gjatë pasdites kishin bërë ndalesa të shumta në Castelbellino, Cupramontana dhe Chiaravalle, për t’u kthyer më pas në orët e vona të mbrëmjes në Castelfidardo, në strukturën ku ishin akomoduar prej disa ditësh.

Duke vlerësuar lëvizjet e pazakonta, karabinierët e Njësisë Operative dhe Radiomobile të Osimos dhe Stacionit të Castelfidardos, me mbështetjen e një skuadre operacionale të Batalionit të 4-t të Karabinierëve të Mestres, ndërhynë duke i ndaluar personat në momentin që po hynin në vendstrehimin e tyre.

Gjatë kontrollit në banesë dhe automjet, u gjetën rreth 100 objekte të çmuara, 23 orë dore – disa prej tyre me vlerë të lartë – çanta firmato, rreth 600 euro para në cash, si dhe mjete pune që përdoren për vjedhje, përfshirë llamba elektrike, një fleksibil dhe vegla për thyerje.

Verifikimet e mëvonshme konfirmuan se në zonat e vizituara nga të arrestuarit ishin kryer disa vjedhje në apartamente përmes thyerjes së dyerve dhe dritareve. Një pjesë e sendeve të sekuestruara u njoh menjëherë nga pronarët e banesave të grabitura, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e vjedhjeve.

Në automjetin e tyre u gjetën gjithashtu dy sete targash të klonuara, që i përkisnin makinave të të njëjtit model, të cilat përdoreshin për të shmangur identifikimin nga sistemet automatike të leximit të targave.

Tre shqiptarët u arrestuan në flagrancë dhe ndaj tyre u caktua masa e sigurisë ‘arrest me burg’, në pritje të seancës së konfirmimit nga gjykata. Sipas autoriteteve, një pjesë e sendeve të sekuestruara lidhet edhe me një vjedhje të kryer më 14 dhjetor në Loreto, me të njëjtin mënyrë pune.