Gjykata i rikthen Elon Musk-ut bonusin rekord, 56 miliardë dollarë dhe drejt një pasurie trilionëshe
Gjykata e Lartë e shtetit amerikan Delaware ka marrë një vendim me ndikim të madh financiar dhe korporativ, duke rikthyer paketën e shpërblimit prej 56 miliardë dollarësh që kompania Tesla i kishte miratuar Elon Musk-ut në vitin 2018.
Ky vendim rrëzon anulimin e vitit 2024, kur një gjykatë më e ulët e kishte quajtur bonusin “të tepruar” dhe në dëm të aksionerëve.
Gjykata e Lartë argumentoi se anulimi i plotë ishte i padrejtë, pasi Musk kishte drejtuar kompaninë për gjashtë vite pa marrë pagesë, duke e lidhur shpërblimin drejtpërdrejt me rritjen historike të vlerës së Tesla-s gjatë kësaj periudhe.
Si pasojë e këtij vendimi, Musk fiton të drejtën të blejë aksione të Tesla-s me çmim shumë më të ulët se tregu, duke rritur pjesëmarrjen e tij në kompani nga 12,4% në 18,1%, çka përkthehet në një rritje teorike të pasurisë së tij prej rreth 139 miliardë dollarësh.
Paralelisht, Musk ka siguruar edhe një paketë të re shpërblimi, potencialisht edhe më të madhe, e cila – nëse arrihen objektivat e vendosura, mund t’i japë atij deri në 25% të aksioneve të Tesla-s, me një vlerë të mundshme që mund të arrijë në 1 trilion dollarë.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky bonus i ri do të kombinohet me atë të rikthyer apo do të zëvendësojë pjesërisht paketën e vjetër.
Vendimi forcon ndjeshëm pozicionin e Musk si njeriu më i pasur në botë dhe rihap debatin global mbi kufijtë e shpërblimeve të drejtuesve të korporatave.
