THIAGO SILVA GATI PËR MILANIN/ Mbrojtësi ndahet përfundimisht me Fluminense, kërkon kthimin në Evropë
Thiago Silva mbyll kapitullin me Fluminense dhe synon një rikthim surprizë në Evropë. Në moshën 41-vjeçare, mbrojtësi legjendar kërkon sfidën e fundit të karrierës.
Aventura braziliane e Thiago Silvës ka përfunduar më herët nga sa pritej. Mbrojtësi legjendar dhe klubi i Fluminense kanë zyrtarizuar ndarjen me marrëveshje, pas prishjes së kontratës të firmosur në qendrën stërvitore “Carlos Castilho”, plot gjashtë muaj përpara afatit natyror.
Në moshën 41-vjeçare, ish-kapiteni i Milanit nuk ka ndërmend të mbyllë karrierën, por përkundrazi, synon një sfidë të fundit ambicioze.
Rikthimi i tij në Fluminense, në maj të vitit të kaluar, ishte pritur si kthimi i një ikone në shtëpi. Megjithatë, Thiago Silva e sheh largimin nga Rio de Janeiro si një hap të domosdoshëm për të realizuar një ëndërr të fundit sportive: rikthimin në Evropë.
Qëllimi i tij është të aktivizohet në një kampionat konkurrues, të tregojë se ende mund të luajë në nivele të larta dhe të mbajë gjallë shpresën për një thirrje të bujshme me përfaqësuesen braziliane në Botërorin e ardhshëm.
Në këtë kontekst, rikthehet fuqishëm ideja e Milanit. Thiago Silva nuk e ka fshehur kurrë lidhjen emocionale me klubin ku u afirmua si një nga mbrojtësit më të fortë në botë.
Një “vallëzim i fundit” në San Siro do të kishte një domethënie të veçantë për të dhe për tifozët kuqezi. Por realiteti i sotëm i Milanit është ndryshe. Strategjia e klubit fokusohet te lojtarë të rinj, projekte afatgjata dhe një menaxhim i kujdesshëm i pagave, çka e bën të vështirë realizimin e një operacioni nostalgjik.
Fluminense i dha lamtumirën kapitenit të tij me një komunikatë falënderuese, duke rikujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të një lojtari të dalë nga akademia e klubit. Në total, Thiago Silva mbyll këtë kapitull me 212 paraqitje dhe 19 gola, duke lënë pas suksesin e Kupës së Brazilit dhe një trashëgimi të fortë profesionale. Tani, vështrimi i tij është sërish drejt Evropës, për sfidën e fundit të një karriere legjendare.

