Bandat ekz*kutojnë futbollistin/ Mbrojtësi Mario Pineida u v*a në Guayaquil të Ekuadorit

Bandat kanë vrarë një futbollist në Ekuadër. Mbrojtësi i Barcelona SG, Mario Pineida u ekzekutua në një atentat në Guajakuil. Mbrojtësi i sulmua nga dy persona me motoçikleta të cilët hapën zjarr mbi futbollistin.

Qyteti i Guajakuilit në Ekuador vijon të jetë një nga pikat më të nxehta të dhunës së bandave të lidhura me trafikun e drogës, duke prekur tashmë drejtpërdrejt edhe botën e sportit. Viktima e radhës është futbollisti i Barcelonës SG, Mario Pineida, i cili u vra në një atentat të armatosur në këtë qytet të njohur si një nga qendrat kryesore të krimit të organizuar në vend.

Sipas autoriteteve, Pineida u qëllua për vdekje nga persona të armatosur, ndërsa në të njëjtin sulm humbi jetën edhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Një person i tretë mbeti i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Policia ka nisur hetimet, por deri tani nuk ka dhënë detaje mbi motivet e atentatit.

Mario Pineida ishte një emër i njohur në futbollin ekuadorian. Mbrojtësi kishte qenë pjesë e ekipit kombëtar gjatë fushatave kualifikuese për Kupën e Botës 2018 dhe 2022. Ai luajti për disa vite me klubin e Guajakuilit, duke fituar dy trofe kombëtarë, ndërsa në vitin 2022 pati edhe një eksperiencë të shkurtër me Fluminense në Brazil.

Rasti i Pineidës nuk është i izoluar. Në muajt e fundit, disa futbollistë janë shënjestruar nga dhuna kriminale. Në shtator, tre lojtarë të divizionit të dytë u vranë, njëri prej tyre i dyshuar për lidhje me bastet sportive, ndërsa një muaj më vonë futbollisti Bryan Angula u plagos në një atentat me armë zjarri.

Ekuadori po përjeton një krizë të thellë sigurie dhe pritet të shënojë vitin më të dhunshëm të regjistruar ndonjëherë, me mbi 1900 vrasje nga janari deri në shtator, shumica e lidhura me bandat e drogës.