Sherret në shkolla/ Xhixho kërkon interpelancë urgjente me Ministrinë e Arsimit

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkon interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, duke theksuar raste alarmante dhune në shkolla dhe dështimin e institucioneve për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e nxënësve.

Deklarata e Erisa Xhixhos:

Arsimi sot është një emergjencë kombëtare jo vetëm për sa i takon cilësisë. Raporti i fundit i PIZA-s e dëshmoi qartë gjendjen alarmante në të cilën është aktualisht arsimi shqiptar. Por kjo është vetëm njëra anë e dështimit. Në shkollat e vendit, siguria është në nivele kritike. Institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e nxënësve, përgjegjësia shtetërore është zero, ndërsa ajo që propagandohet nga qeveria dhe vetë ministria nuk ka lidhje me realitetin.

Vrasja tragjike e vogelushit Martin Canit, nxenes I shkolles “Fan Noli”, Tirane, një vit më parë, vetëm pak metra nga shkolla ku mësonte, tregoi qartë se të gjitha hallkat e parandalimit kanë dështuar.

Pak ditë më parë, një rast i ngjashëm u përsërit në Durrës. Erjon Boba gjimnazist i shkollës së mesme “Dom Nikoll Kaçorri” u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, dhe humbi jetën në spital disa ditë më vonë.

Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua javën e kaluar përpara shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër. Pamjet e një përleshjeje masive të dhunshme mes adoleshentëve u publikuan në të gjitha mediat. Katër prej personave të përfshirë u plagosën me thikë.

Këto raste alarmante dëshmojnë se siguria në shkolla kërkon ndërhyrje urgjente. Ajo nuk zgjidhet as me propagandë, as duke fshehur të dhënat.

Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se vetëm këtë vit kemi 2 viktima, 346 të mitur të dëmtuar dhe 420 autorë të përfshirë në konflikt me ligjin për kanosje, plagosje të rëndë, plagosje të lehtë me dashje dhe rrahje me njëri tjetrin.

Në total, në 5 vitet e fundit 10 të mitur kanë humbur jetën nga konfliktet me njëri tjetrin, ndërkohë që 1600 të tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta, ndërsa afro 1550 janë regjistruar si autorë.

Këto ngjarje nuk janë incidente të izoluara, por pasoja direkte të një politike të gabuar dhe një mosveprimi të qëllimshëm institucional.

Ky realitet është zyrtarisht i dokumentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) 2025, i cili në raportet e tij të auditimit ka konstatuar qartë dhe pa ekuivok se:
* Ministria e Arsimit nuk ka ndërtuar dhe zbatuar sisteme funksionale sigurie në shkolla.
* Protokollet e sigurisë janë ose formale, ose të pazbatuara.
* Shërbimi psikosocial në shkolla është i pamjaftueshëm, joefektiv dhe shpesh vetëm në letër.
* Mungon koordinimi institucional mes Ministrisë së Arsimit, drejtorive arsimore, policisë dhe shërbimeve sociale.

* Rekomandimet e KLSH-së për parandalimin e dhunës dhe garantimin e sigurisë nuk janë zbatuar, pavarësisht se janë përsëritur ndër vite.

Pra, Ministria e Arsimit ka qenë e paralajmëruar zyrtarisht për rrezikun, por ka zgjedhur mosveprimin, duke e lënë sigurinë e fëmijëve në mëshirë të fatit.

Në vend që të marrë përgjegjësi për këtë dështim të dokumentuar, një vit më parë Kryeministri e përdori tragjedinë e Martin Canit si alibi politike, duke shpallur mbylljen e rrjetit social TikTok, një vendim propagandistik që nuk adresoi asnjë nga shkaqet reale të dhunës në shkolla dhe nuk zëvendësoi detyrimet ligjore të Ministrisë së Arsimit. Ky veprim përbën shmangie të hapur nga përgjegjësia institucionale.

Ndaj kam kërkuar interpelancë urgjente me Ministren e Arsimi, e cila duhet të japë përgjigje të qarta dhe konkrete për:

1. Moszbatimin e rekomandimeve të detyrueshme të KLSH-së për sigurinë në shkolla.
2. Masat reale dhe urgjente që janë marrë ose do të merren për garantimin e jetës dhe integritetit të nxënësve.
3. Përgjegjësitë institucionale për ngjarjet e rënda të ndodhura.
4. Dështimin e politikave parandaluese kundër dhunës mes të miturve dhe funksionimin real të shërbimit psikosocial në shkolla.
5. Faktin që 60% e shkollave janë ende pa oficer të sigurisë dhe mungesat në staf me psikologë.
6. Fëmijët marrin mjete të ftohta dhe jo libra në shkolla, çka dëshmon dështimin e sistemit edukues në shkollat tona.

Jeta e fëmijëve nuk mund të trajtohet si statistikë dhe as të përdoret si justifikim për vendime të nxituara politike. Siguria në shkolla është detyrim kushtetues dhe ligjor i panegociueshëm.

Kjo interpelancë me Ministren e Arsimit vjen si një detyrim për transparencë dhe llogaridhënie për dy shqetësimet madhore që kanë familjet shqiptare sot: siguria në shkolla dhe cilësia në arsim.