OKB: Paqeruajtësit UNIFIL u sulmuan nga Izraeli në jug të Libanit

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) tha të mërkurën se forcat izraelite qëlluan disa herë me mitraloz pranë një patrulle paqeruajtëse të OKB-së përgjatë Vijës Blu të shënuar nga OKB-ja, duke mos shkaktuar viktima.

"Sulmet ndaj ose pranë paqeruajtësve përbëjnë një shkelje serioze të Rezolutës 1701", thuhet në deklaratë, duke i kërkuar Izraelit të ndalojë atë që UNIFIL e quajti sjellje agresive ndaj forcave të mandatuara për të ruajtur stabilitetin përgjatë kufirit. Rezoluta 1701 e OKB-së i dha fund Luftës së Libanit të vitit 2006.

Sipas një deklarate, paqeruajtësit në automjete po kryenin një patrullim rutinë pranë fshatit Sarda të martën, kur një tank izraelit Merkava hapi zjarr.

"Një breshëri prej 10 fishekësh u qëllua mbi patrullën, e ndjekur nga katër breshëri të tjera prej 10 fishekësh që ranë afër", thuhet në deklaratë.

Misioni tha se paqeruajtësit kontaktuan menjëherë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) përmes kanaleve të ndërlidhjes së UNIFIL për të kërkuar ndërprerjen e të shtënave.

UNIFIL vuri në dukje se si tanku ashtu dhe patrulla, ndodheshin brenda territorit libanez në atë kohë.

Incidenti vjen në mes të një periudhe aktiviteti ushtarak izraelit përgjatë kufirit libano-izraelit, ku Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme kundër pozicioneve të Hezbollahut pro-iranian.

Izraeli dhe Hezbollahu ranë dakord për një armëpushim në nëntor 2024 pas më shumë se një viti zjarri ndërkufitar, megjithëse të dyja palët e kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes që atëherë.

Një element kyç i marrëveshjes së armëpushimit është çarmatimi i Hezbollahut, një proces politikisht i ndjeshëm që është kërkuar pa sukses në Liban për dekada të tëra.

Izraeli dhe fqinji i tij verior mbeten zyrtarisht në gjendje lufte. Presidenti i Libanit sinjalizoi së fundmi hapjen ndaj negociatave të reja me Izraelin.

UNIFIL përsëriti se personeli i saj mbetet i përkushtuar për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm dhe për të ruajtur kanalet e komunikimit midis palëve./ DPA News.