Çifti shqiptar/ Prindërit trafikantë, brenda në makinë kishin dr*gën dhe vajzën 2-vjeçare

Çifti shqiptar u arrestua jashtë Penny Market në Bolonja. Policia sekuestroi 20 kilogramë marijuanë nga makina dhe shtëpia e tyre

Nga Nicoletta Tempera, IL RESTO DEL CARLINO

Me një vështrim të parë, ata mund të dukeshin si një familje e zakonshme që kishte shkuar të bënte pazarin. Fatkeqësisht, në qeset e supermarketit, çifti (të dy shqiptarë, ai 37 vjeç, ajo 35) nuk kishte qumësht, fruta apo ëmbëlsira për fëmijë, por pesë pako të futura në vakum që përmbanin gati 5 kilogramë marijuanë. Vetëm një pjesë e vogël e sasisë që mbanin në shtëpi, ku policia gjeti edhe 15 kilogramë të tjerë të së njëjtës lëndë narkotike.

Arrestimi për trafik droge, i rënduar nga sasia e madhe, ndodhi disa ditë më parë në parkingun e Penny Market në Bolonja.

Çifti, që kishte me vete vajzën më të vogël, një fëmijë 2-vjeçar, u kontrollua nga një patrullë e njësive “Volanti”, ndërsa po prisnin dikë jashtë supermarketit.

Agjentët, duke marrë parasysh precedentët penalë të 37-vjeçarit, të ndihmuar nga Skuadra e Lëvizshme, vendosën të kontrollonin makinën me të cilën udhëtonte familja, e regjistruar në emër të një personi tjetër me precedentë penalë, 62 vjeç.

Ky i fundit ishte arrestuar vetëm disa javë më parë në rrugën ‘Kalabria’, gjithashtu nga policia, teksa transportonte disa kuti që përmbanin 13 kilogramë marijuanë.

Në makinë, e fshehur nën sediljen e pasme ku ishte vendosur në ndenjëse e vajzës së vogël, ndodheshin qeset e dyshimta. Policët më pas zgjeruan kontrollet në një garazh në rrugën Lenin – gjithashtu i lidhur me 62-vjeçarin – dhe në banesën ku çifti jetonte me qira.

Përveç vajzës 2-vjeçare, ata kanë edhe dy vajza të tjera, 5 dhe 7 vjeç.

Në banesë dhe në garazh, mes dollapëve, madje edhe në sy të të gjithëve mbi tavolinë, ndodhej pjesa tjetër e drogës. Dhe kështu u vunë prangat.

Të mbrojtur nga avokati Cosimo Rina, çifti u mor në pyetje nga gjyqtari hetues Claudio Paris gjatë seancës së garancisë. Për burrin, duke parë precedentët penalë dhe deklaratat e dhëna, u caktua masa e paraburgimit; ndërsa për gruan, e padënuar më parë, u vendos detyrimi për të qëndruar në qytet (prokuroria kishte kërkuar arrest shtëpie).

Hetimet vazhdojnë për të rindërtuar rrjetin e shpërndarjes së drogës ku bën pjesë çifti.