BRAZILI NË KAOS/ Konservatorët synojnë të zbusin dënimin e ish- presidentit Bolsonaro me ligj

Parlamenti brazilian u përfshi në tensione të forta të martën, ndërsa ligjvënës konservatorë vazhdojnë të shtyjnë përpara një projektligj që do të ulte dënimin me burg të ish-presidentit Jair Bolsonaro, raporton BBC.

Një deputet i krahut të majtë u nxor me forcë nga salla nga policia pasi tentoi të ndërpriste seancën, ndërsa pamjet e publikuara treguan përleshje fizike midis ligjvënësve dhe truprojave që përpiqeshin të rikthenin rendin.

Bolsonaro nisi në nëntor vuajtjen e një dënimi 27-vjeçar me akuzën se ka tentuar të organizojë një grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.

Aleatët e tij konservatorë në Kongres kanë propozuar një ligj që do të ulte ndjeshëm dënimet për veprat penale të lidhura me grushtin e shtetit dhe do të sillte lirimin e dhjetëra mbështetësve të Bolsonaro-s, të cilët sulmuan godinat qeveritare pak pas largimit të tij nga detyra.

Ndërkohë, dokumente gjyqësore të publikuara këtë javë tregojnë se avokatët e ish-presidentit kanë paraqitur një kërkesë zyrtare për t’i lejuar atij daljen nga burgu për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Kërkesa përsërit edhe apelin që Bolsonaro të lejohen ta vuajë dënimin në arrest shtëpie për arsye shëndetësore. Ai kaloi disa ditë në terapi intensive më herët këtë vit pas një operacioni në zorrë dhe mbart ende pasoja nga plagosja me thikë në vitin 2018 gjatë një tubimi elektoral.

Fati politik dhe ligjor i Bolsonaro-s, një populist i djathtë i mundur ngushtë nga Luiz Inácio Lula da Silva tre vite më parë, mbetet një çështje thellësisht përçarëse në Brazil. Aleatët e tij kanë ndjekur disa rrugë ligjore për ta shpallur të pafajshëm ose për t’i reduktuar dënimin.