Kualifikimi i mundshëm në Botëror, ku mund t’i luajë Shqipëria ndeshjet e Grupit F

Kombëtarja shqiptare e futbollit mund të jetë potencialisht pjesë e Grupit F në Botërorin 2026, ku goglat e vunë përballë Holandës, Japonisë dhe Tunizisë, nëse ia del të kalojë “play-off”-in kontinental.

FIFA nuk ka caktuar ende përfundimisht oraret e ndeshjeve dhe stadiumet ku do të luhen, por që tani njihen pjesërisht disa informacione rreth atyre sfidave.

Ndeshjet e para të këtij grupi, Holandë-Japoni dhe potencialisht Shqipëri-Tunizi, luhen më datë 14 qershor.

Ndeshjet e dyta, të mundshme Holandë-Shqipëri dhe Tunizi-Japoni, luhen më datë 20 qershor.

Ndërsa ndeshjet e treta, të mundshme Tunizi-Holandë dhe Japoni-Shqipëri, luhen më datë 25 qershor.

Dy ndeshjet e para të këtij grupi do të ndahen mes stadiumeve të Teksasit e Hustonit në SHBA si dhe stadiumit “Estadio BBVA” në Guadalupe të Meksikës.

Ndërsa ndeshjet e treta të skuadrave në këtë grup, do të zhvillohen në stadiumet e Teksasit dhe Kansas Sitit.

FIFA do të publikojë këtë të shtunë oraret zyrtare të ndeshjeve dhe stadiumet përfundimtare në të cilat planifikohen të luhen përballjet në fjalë.