Milani del nga Kupa e Italisë, Lazio dhe Bologna sigurojnë çerekfinalet. Ja përballjet
Turneu i Kupës së Italisë zhvilloi mbrëmjen e së enjtes dy ndeshje vendimtare të fazës së 1/8-ave, të cilat sollën eliminimin e Milanit dhe kualifikimin e dy skuadrave në formë, Lazios dhe Bolognas.
Në stadiumin “Olimpico” të Romës, Lazio triumfoi 1-0 ndaj Milanit falë një goli të Mattia Zaccagni në minutën e 80-të. Bardhekaltërit të drejtuar nga Sarri arritën të marrin “hak” ndaj kuqezinjve, të cilët i kishin mundur pesë ditë më parë në Serie A. Këtë herë, Lazio i ndali rrugëtimin në Kupë Milanit dhe siguroi biletën për çerekfinalet.
Ndërkohë, në “Dall’Ara”, Bologna përmbysi 2-1 Parmën në një sfidë plot ritëm. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Benedyczak, por më pas Rowe dhe Castro kthyen rezultatin dhe vulosën fitoren e vendasve. Me këtë sukses, Bologna bashkohet me Lazion në fazën çerekfinale.
Çiftet e konfirmuara të çerekfinaleve deri tani janë:
Juventus – Atalanta
Bologna – Lazio
Ndërkohë, priten sfidat e tjera që do të përcaktojnë çiftet:
Inter do të ndeshet me fituesin e Roma – Torino
Fituesi i Fiorentina – Como do të përballet me Napolin
Kupa e Italisë vijon të rezervojë surpriza, ndërsa emocionet pritet të rriten teksa turneu i afrohet fazave finale.
