“Netflix” kryeson garën e ofertave për blerjen e “Warner Bros Discovery”
“Netflix” thuhet se ka kryesuar garën për blerjen e kompanisë së famshme të Hollivudit, “Warner Bros Discovery” (WBD), sipas mediave amerikane.
Transmetuesi CNN, i cili është pjesë e WBD, raportoi se gjiganti amerikan i transmetimit të filmave ka paraqitur ofertën më të lartë.
“Warner Bros Discovery” tani po negocion ekskluzivisht me “Netflix”, shkroi “Wall Street Journal”.
WBD zyrtarisht, doli në shitje në tetor pasi mori disa oferta për blerje. Grupi përfshin studiot e filmave, shërbimin e transmetimit “HBO Max” dhe disa rrjete televizive.
“Netflix” thuhet se është i interesuar vetëm në shërbimet e prodhimit dhe transmetimit të “Warner”.
Më herët, WBD kishte planifikuar t’i ndante kanalet televizive në një kompani të veçantë.
“Netflix” kundër “Paramount”
“Paramount” konsiderohet si rivali më i fortë i “Netflix” në “luftën” e ofertave.
Konkurrenti i hershëm hollivudian i “Warner” u ble së fundmi nga producenti miliarder i filmave, David Ellison dhe familja e tij.
Ellison tani po kërkon të zgjerohet me shpejtësi duke blerë “Warner”.
Arritja e një marrëveshjeje do t’i jepte “Netflix” kontrollin e ekskluziviteteve të tilla si “Batman” dhe “Superman”, së bashku me një katalog të gjerë hit-esh të HBO-së, nga “Game of Thrones” te “The Sopranos”.
Sipas CNN, oferta e “Netflix” vlerëson shërbimet e studios dhe transmetimit të “Warner” me 28 dollarë për aksion.
“Paramount” thuhet se ofroi rreth 27 dollarë për aksion, por ndryshe nga “Netflix”, dëshiron të blejë të gjithë kompaninë, përfshirë rrjetet televizive.
Aksionet e WBD u mbyllën dje në rreth 24,50 dollarë.
“Netflix” është një kompani lider në tregun global të transmetimit.
Kompania kishte më shumë se 300 milionë familje që paguanin deri në fund të vitit të kaluar. “HBO Max” raportoi së fundmi 128 milionë abonentë.

