Momenti i ëmbël në koncertin e Alban Skënderajt, djali i ulet në gjunjë dhe i propozon të dashurës për martesë

Momenti i ëmbël në koncertin e Alban Skënderajt, djali i

Koncerti i mbrëmshëm i Alban Skënderajt në sallën “1 Tetori” nuk solli vetëm muzikë të jashtëzakonshme. Ai u shndërrua edhe në skenën e një momenti të paharrueshëm romantik që mori vëmendjen e gjithë publikut.

Gjatë interpretimit live të këngës “Obsesion”, atmosfera e ngrohtë dhe e ndriçuar nga dritat e skenës u bë sfond i përsosur për një surprizë të veçantë.

Një vajzë, e shoqëruar nga partneri i saj dhe duke shijuar performancën, u prek papritur nga një shoqe që e ktheu vëmendjen e saj pas. Ajo mbeti e shtangur kur pa të dashurin e saj të gjunjëzuar, me një unazë në dorë, duke i bërë propozimin e shumëpritur për martesë.

Momenti u shoqërua me brohorima të fuqishme nga publiku, ndërsa emocionet e çiftit ishin të dukshme. Vajza u mbush me buzëqeshje dhe nuk hezitoi t’i thoshte “po”, duke marrë unazën dhe duke e vendosur në gisht. Çifti më pas shkëmbeu një puthje, ndërsa të pranishmit vijuan duartrokitjet dhe thirrjet e entuziazmit.

Ky moment romantik u bë një nga kulmet e mbrëmjes, duke shtuar një tjetër dimension emocionues në koncertin e Alban Skënderajt një artist që gjithmonë ka ditur të krijojë skena të paharrueshme për publikun e tij.