Alarm në Rumani/ Shkoi për ecje pranë kështjellës së Kontit Drakula, zhduket studenti britanik, zbardhet telefonata e tij e fundit
Ditët e fundit në Rumani është ngritur alarm pas zhdukjes së një studenti britanik i cili po bënte shëtitje në malet pranë kështjellës së Kontit Drakulës.
Më konkretisht, siç raporton Times, 18-vjeçari George Smith kishte shkuar në pyjet e dendura të Maleve Bucegi të Rumanisë dhe po shkonte drejt fshatit Bran, ku ndodhet Kështjella Bran, e lidhur gjerësisht me legjendën e Kontit Drakulës, kur gjurmët e tij u humbën papritur.
Më 23 nëntor, studenti telefonoi në linjën e urgjencës së Rumanisë, duke thënë se ishte i rraskapitur, me hipotermi dhe nuk e dinte se ku ndodhej.
Operacionet e shpëtimit filluan pas telefonatës, të cilat deri më tani kanë rezultuar të kota.
Ekipet e shpëtimit besojnë se adoleshenti e nisi ecjen e tij në qytetin Poiana Brasov dhe përfundoi rreth 16 deri në 24 km larg, në Luginën Tiganesti, nga ku kërkoi ndihmë. Këtu u gjetën sendet e tij personale.
Poiana Brasov dhe Bran janë të lidhura nga shtigje pyjore që ngjiten pjerrët në zonat alpine, të cilat mund të bëhen veçanërisht të rrezikshme kur temperatura bie.
Në varësi të vendit ku ndodhej, George kishte ende 19 deri në 30 km për të udhëtuar për të arritur në Kështjellën Bran.
Pas disa ditësh kërkimesh, ekipet e shpëtimit arritën të gjenin vetëm çantën e tij të shpinës , në zonën nga ku ai kishte kërkuar ndihmë.
Nëna e George-it e përshkroi djalin e saj si "një djalë të ri atletik dhe të fortë", i cili njihet për udhëtimet e shumta me familjen dhe miqtë e tij, por tha se ky udhëtim ishte ndryshe.
Kështjella Bran është e lidhur me legjendën e Kontit Drakula
“Ai u largua nga universiteti i tij në Mbretërinë e Bashkuar të dielën, pa na thënë, për të shkuar për ecje në natyrë vetëm”, tha ajo për Times.
“Telefoni i tij kishte sinjal për herë të fundit në një zonë të largët malore. Ai bëri një telefonatë të dëshpëruar në 112 [numri i emergjencës së Rumanisë] të dielën në mbrëmje ”, tha nëna e shqetësuar.
Kushtet e motit dhe reshjet e dendura të borës në zonë kanë komplikuar përpjekjet për të gjetur Smithin e zhdukur. Shpëtuesit thonë se në disa nga zonat që kanë kërkuar, trashësia e borës shpesh tejkalon 1.8 metra.
Një helikopter Black Hawk, i cili ka qasje në pjesë të largëta të maleve, qentë nuhatës dhe një dron me imazhe termike po ndihmojnë në kërkimin e të riut.
Dimri në malet Bucegi është jashtëzakonisht i rrezikshëm, me ndryshime të papritura të motit, borë të thellë, shtigje të akullta dhe rreshje të paqëndrueshme bore që mund të çorientojnë ecësit.
Gjatë dimrit, temperaturat zakonisht variojnë nga 0 deri në 4 °C në male.
