Maduro i bindet Trump-it, miraton kërkesën e Uashingtonit për të rifilluar fluturimet e deportimit nga SHBA-ja
Presidenti venezuelian, Nicolás Maduro ka miratuar një kërkesë te Uashingtonit për të rifilluar fluturimet e deportimit nga Shtetet e Bashkuara, tha dje në mbrëmje ministri i Transportit, Ramón Celestino Velásquez.
Ky vendim vjen mes tensioneve në rritje të ndjeshme midis dy vendeve.
Gjatë fundjavës, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se hapësira ajrore e Venezuelës duhej të konsiderohej e mbyllur.
Karakasi u përgjigj duke thënë se Uashingtoni kishte vendosur në mënyrë të njëanshme të ndalonte fluturimet e mëtejshme të deportimit që transportonin emigrantë.
Trump ka ashpërsuar retorikën dhe veprimet e tij ndaj vendit të Amerikës së Jugut gjatë javëve të fundit.
SHBA-ja ka vendosur aeroplanmbajtësen USS Gerald R Ford dhe anije luftarake shtesë në Karaibe, duke thënë se misioni synon luftimin e trafikut të drogës.
Vëzhguesit kanë spekuluar se Uashingtoni mund të jetë duke përgatitur sulme ndaj objektivave në Venezuelë, ose duke kërkuar një ndryshim të qeverisë në Karakas.
Disa linja ajrore ndërkombëtare pezulluan shërbimet për në Venezuelë pasi Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) paralajmëroi për rritje të aktivitetit ushtarak dhe rreziqe të larta sigurie.
Sipas autoriteteve venezueliane, rreth 14 000 emigrantë janë kthyer që nga marsi në një total prej 75 fluturimesh, edhe pse tensionet me Uashingtonin u përshkallëzuan.
Fluturimi më i fundit, nga shteti amerikan i Arizonës, u ul të premten me 136 emigrantë të kthyer.

