SPANJOLLET FITOJNË LIGËN E KOMBEVE/ Kombëtarja iberike për femra mund Gjermaninë 3-0

Kombëtarja spanjolle për femra është fituesja e Ligës së Kombeve për këtë edicion. Ata korrën një sukses të jashtëzakonshëm përballë kombëtares gjermane, duke e mbyllur sfidën me tre gola dhe duke e mbajtur portën të paprekur.

Në një mbrëmje që mbetet në historinë e futbollit spanjoll, kombëtarja e femrave siguroi titullin e tretë të Ligës së Kombeve pas një fitoreje mbresëlënëse 3-0 ndaj Gjermanisë.

Trajnerja spanjolle bëri vetëm një ndryshim në krahasim me sfidën e parë në Gjermani, duke aktivizuar Vickyn në vend të Aitanës në formacionin titullar. Një lëvizje që dha rezultat të menjëhershëm, duke bërë që Spanja  të niste  ndeshjen me ritëm të lartë dhe krijoi disa raste të pastra shënimi.

Gjermania nga ana tjetër reagoi përmes presionit të lartë, duke i shkaktuar një moment pasigurie mbrojtjes spanjolle, por pjesa e parë u mbyll pa gola.

Por ccdo gjë ndryshoi në pjesën e dytë për Spanjën. Pina, golashënuesja kryesore e kompeticionit, shënoi golin e parë pas një kombinimi të shpejtë me Marionën dhe një goditjeje të fuqishme me të djathtën.

Shtatë minuta më vonë, Vicky firmosi një nga golat më të bukur të mbrëmjes: një gjuajtje e saktë me të majtën drejt cepit të sipërm të portës gjermane.

Me Gjermaninë tashmë të dorëzuar, Pina përmbylli gjithçka në minutën e 75-të me golin e saj të dytë personal, duke kthyer stadiumin Riyadh Air Metropolitano në festë të vërtetë.

Me këtë fitore Spanje konfirmoi se mbetet një forcë e pathyeshme në arenën ndërkombëtare, duke shtuar edhe një tjetër trofe në koleksionin e tyre.