“E di kë do të zgjedh”- Trump: Kam marrë vendimin për kreun e ri të Rezervës Federale
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë të ditur të dielën se ka marrë vendimin për emrin që do të propozojë si kreun e ardhshëm të Rezervës Federale (Fed), pasi ka theksuar se nga kandidati i tij pret ulje të normave të interesit.
“E di kë do të zgjedh, po”, u shpreh Trump para gazetarëve në bordin e Air Force One, gjatë kthimit për në Uashington, pa zbuluar emrin. “Do ta bëjmë publik së shpejti.”
Trump ka kritikuar shpesh drejtuesin aktual të Fed-it, Jerome Powell, për mosuljen e shpejtë të normave dhe ka nënvizuar se kërkon një drejtues që do të ndjekë më agresivisht politikat lehtësuese. Sipas raportimeve të Bloomberg, kandidati më i mundshëm konsiderohet Kevin Hassett, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë dhe këshilltar ekonomik i lartë i Trump.
Hassett, i pyetur nga CBS të dielën, nuk pranoi të komentojë mbi pozicionimin e tij si favorit për postin, duke e quajtur lajmin “thashetheme”. Ai megjithatë vuri në dukje reagimin pozitiv të tregjeve pas njoftimeve se Trump po i afrohet shpalljes së kandidatit, duke e interpretuar këtë si sinjal se investitorët presin politika të normave më të ulëta.
“Patëm një ankand të shkëlqyer për bonot e thesarit, normat ranë, dhe mendoj se amerikanët mund të presin që presidenti Trump të zgjedhë dikë që do të ndihmojë në uljen e kostos së kredive për makina dhe në qasje më të lehtë në kredi hipotekare me interesa më të ulëta”, u shpreh Hassett.
Sipas burimeve të njohura me procesin, Trump i beson Hassett-it dhe e sheh të përshtatur me qëndrimin e tij për të shtyrë Fed-in drejt uljeve më të forta të interesave. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ai mund të hasë vështirësi në drejtimin e komitetit që përcakton politikat monetare dhe të jetë më i ekspozuar ndaj presionit politik. Reagimi i tregjeve, sipas tij, ishte një përgjigje indirekte ndaj këtyre shqetësimeve.
Ndërkohë, vetëm lajmet për mundësinë e emërimit të Hassett ndikuan për pak kohë në uljen poshtë nivelit 4% të rendimentit të bonove 10-vjeçare të thesarit amerikan.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili po mbikëqyr procesin e përzgjedhjes, tha javën e kaluar se Trump mund ta shpallë kandidatin e tij para festave të Krishtlindjes.
Përveç Hassett-it, në listë mbeten edhe anëtarët e bordit të Fed-it, Christopher Waller e Michelle Bowman, ish-guvernatori Kevin Warsh, si dhe Rick Rieder nga BlackRock. Trump ka deklaruar disa herë se do të donte edhe vetë Bessent në krye të Fed-it, por ky i fundit e ka refuzuar vazhdimisht idenë.
Cilido të zgjidhet, do të duhet të miratohet nga Senati dhe, nëse kandidati nuk është aktualisht anëtar i Bordit të Fed-it, pritet të marrë një mandat 14-vjeçar që fillon në shkurt. Ndërkohë, mandati i Jerome Powell përfundon në maj.

