YLLI I BOND, HUMB SHIKIMIN/ Aktorja 90-vjeçare, Judi Dench rrëfen përballjen e vështirë me AMD-në

Aktorja legjendare britanike Judi Dench ka dhënë një përditësim të dhimbshëm për gjendjen e saj shëndetësore, duke pranuar se tashmë “nuk sheh më”. Ylli i James Bond po përballet me një sëmundje që i ka zbehur gradualisht shikimin për më shumë se një dekade. Dench thotë se gjendja po i vështirëson jetën e përditshme dhe karrierën, por nuk i ka humbur humorin dhe forcën.

Ylli i James Bond, Judi Dench, një nga aktoret më të dashura të skenës dhe ekranit, ka pranuar publikisht se gjendja e saj e syve është përkeqësuar në atë pikë sa “nuk sheh më”.

Në një paraqitje të fundit në Teatrin Mbretëror, 90-vjeçarja tha se tashmë është “e pashpresë” përballë degjenerimit makular të lidhur me moshën  një sëmundje që prek qendrën e shikimit.

Ylli i James Bond dhe Shakespeare in Love u diagnostikua me kwtw swmundje tw humbjes se shikimit nw vitin 2012. Prej atëherë, shikimi i saj është degraduar ngadalë, duke e bërë të pamundur leximin e skenarëve dhe njohjen e njerëzve përreth.

Aktorja tregon se tashmë ka nevojë për dikë pranë sa herë del nga shtëpia, ndërsa shpreh me humor se shpesh i drejtohet të panjohurve duke menduar se i njeh.

Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Britani, AMD- degjenerimin makular të lidhur me moshën, nuk shkakton verbëri totale, por dëmton qartësinë qendrore të shikimit, duke vështirësuar detyra të zakonshme si leximi, shikimi i televizorit apo njohja e fytyrave.

Ekspertët paralajmërojnë se faktorë si mosha, duhanpirja, tensioni i lartë dhe ekspozimi ndaj rrezeve UV e rrisin rrezikun.

Edhe pse sfida është e madhe, Judi Dench mbetet e vendosur të ruajë energjinë dhe humorin që e ka shoqëruar gjithë karrierën e saj. Ajo thotë se thjesht “merret me të”, ndërsa vazhdon të jetë pjesë e bisedave publike dhe projekteve televizive.

Një ikonë e padiskutueshme e ekranit, e cila edhe përballë humbjes së shikimit, vazhdon të frymëzojë me forcën, talentin dhe kurajon e saj.