Festat e fundvitit, psikologia Manolita Hida: Jo çdo fëmijë i përjeton njësoj pushimet. Ja pse!
Teksa bëhemi gati të kremtojmë festat e fundvitit pyetja që mbetet është se si t’i menaxhojmë pushimet me fëmijët?!
Ishte kjo tema e bisedës së zhvilluar mëngjesin e sotëm në studion e lajmeve në “Ora News” me psikologen Manolita Hida.
“Në fakt ne si të rritur mezi e presim këtë periudhën e festave, pasi kemi atë shkëputjen nga rutina e përditshme me punën, kemi më shumë angazhim me fëmijët dhe me shtëpinë, gjëra të cilat duket sikur i lëmë pas në raport me ngarkesën që kemi jashtë shtëpisë.
Periudhat e pushimeve janë periudha që fitojmë pak më shumë qetësi emocionale apo ngarkesa fizike që bëjmë gjatë javës.
Dhe siç e thashë, pushimet janë të mirëpritura, sidomos nga fëmijët, por jo te çdo fëmijë.
Nga të vegjlit nën 10 vjeç priten me gëzim se ka lojëra dhe ka një lloj shkëputjeje nga detyrat. Ndërsa për adoleshentët kjo do të thotë pak më shumë kohë për ekranet, ndërsa i pengon ata në kohën e shoqërimit social.
Problematikat vijnë nga ambientet apo familjet që kanë probleme me mirë-edukimin e fëmijëve.
Kjo do të thotë që fëmijët e këtyre familjeve shfaqin një periudhë ankthi të shtuar, rritje të pasigurisë, pasi i vetmi vend që duhej të ishte i sigurtë për ta janë ambientet e shkollës dhe jo shtëpia”, u shpreh ndër të tjera psikologia Manolita Hida
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PSIKOLOGEN MANOLITA HIDA

