Historia e një puthjeje që hyri në histori
“Ishte nata e finales së Kupës Stanley, kulmi i ligës kanadeze të hokejit mbi akull. Skuadra e Vancouverit, Canucks, u mund 4–3 nga Boston Bruins, një humbje veçanërisht e rëndë pasi ndeshja u luajt në shtëpi. Alex dhe unë po e shikonim ndeshjen në shtëpinë e një shoku në qendër, disa blloqe larg stadiumit. Kishim qenë bashkë për gjashtë muaj, pasi u njohëm përmes miqve në një bar.
Në të kaluarën, kur Canucks fitonin, unë shihja njerëz që dilnin në rrugë duke goditur duart me njëri-tjetrin plot hare. Por atë natë atmosfera ishte e tendosur; disa makinave u vunë zjarrin, madje para se loja.
U larguam nga apartamenti i mikut dhe ecnim nëpër rrugë drejt stacionit, për të marrë trenin për në lindje të Vancouverit, aty ku unë banoja. Në fillim nuk po ndodhte shumë gjë, por pastaj njerëzit nisën të thyenin xhamat dhe menjëverë erdhi ndërhyre e policisë. Ne u gjendëm të bllokuar mes turmës.
Papritur, rreshti i policisë na u turr. Të gjithë filluan të vraponin; ne nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë dhe na rrëzuan. Dy policë erdhën dhe na goditën me shqelma, duke u përpjekur të na shtynin të largoheshim. Alex ishte në tokë dhe unë po përpiqesha ta mbroja. Pas disa sekondash, policët u larguan dhe na lanë në mes të rrugës bosh. Alex ishte e tronditur. E putha për ta qetësuar.” ishte shprehur për The Guardian, Scott Jones më 30 shtator 2016, pesë vite pas ngjarjes dhe fotos ikonike.
Ka çaste kur realiteti shpërthen në mënyrën më të papritur, kur rruga kthehet në skenë dhune, britmash dhe tymi, dhe megjithatë diku në mes të kaosit ndodh diçka që e rikthen njeriun te vetja. Fotografia e famshme e kapur gjatë trazirave të Vancouverit në qershor të vitit 2011 është një nga ato çaste të rralla, ku një akt i thjeshtë njerëzor përthyhet në simbol universal.
Një puthje e çliruar nga çdo patetikë, e lindur nga instinkti më njerëzor,nevoja për të qetësuar, për të mbrojtur, për të thënë pa fjalë, “Unë jam këtu. Ti je e sigurt.”
Në atë sekondë, fotografi australian Richard Lam shtypi butonin e aparatit. Nuk ishte një pozë, nuk ishte një çast i inskenuar; ishte një copëz e papërpunuar e njerëzores. Dhe kjo e bëri imazhin të pavdekshëm.
Fotografia u përhap në mbarë botën si flakë në erë. U komentua si një nga imazhet më të forta të dekadës, një kontrast i tronditshëm mes flakëve të qytetit dhe butësisë së dy të rinjve të shtrirë në asfalt. Dhuna përreth dukej sikur humbte kuptim, ndërsa dashuria e tyre qëndronte si një dritë e vetme njerëzore.
Scott Jones dhe Alexandra Thomas, çifti i fotografuar, u shfaqën më pas në intervista, të habitur nga vëmendja. Ata rrëfyen se nuk kishin qenë pjesë e trazirave; thjesht kishin qenë aty në momentin e gabuar. Dhe kur ajo ishte frikësuar, ai kishte bërë gjënë më të natyrshme në botë, e kishte qetësuar me një puthje.
E megjithatë ende ka njerëz që mendojnë se foto nuk është vërtetë, ndërsa vetë Scott Jones është shprehur se: Të nesërmen në mëngjes, u zgjova nga një mesazh i një mikeshe që kishim takuar një natë përpara: “A ishit ju në atë foto?”
Nuk kisha asnjë ide për çfarë fliste. E kërkova në Facebook, ku ajo na kishte taguar. Një gazetë kishte publikuar fotografitë e trazirës dhe aty ishim edhe ne, mes fotove të makinave që digjeshin. Kur Alex e pa për herë të parë, ajo u shqetësua për mënyrën se si do të interpretohej veshja e saj.
Pastaj nisën telefonatat, nga radio, televizione dhe gazeta në mbarë botën, tregon Scott. Nuk dija ç’të thosha, ndaj thjesht ndalova së përgjigjuri. Ishte dërrmuese. U takuam me fotografin, Richard Lam, për të marrë ndonjë këshillë. Ai na tha: “Më mirë jepuni diçka, prononcohuni, ndryshe do të vazhdojnë t’ju ndjekin.”
Pati aq shumë spekulime, ndaj vendosëm t’i sqaronim të gjitha. E kuptoj pse fotografia pëlqehet kaq shumë, kontrasti mes policisë kundër trazirave dhe qytetit që digjej, me ne duke u puthur.
Tre ditë pas trazirës, u larguam nga Vancouveri për një pushim në Kaliforni, para se të zhvendoseshim bashkë në Australi, prej nga jam unë, vijon rrëfimin Scott. Richard na dërgoi një kopje të madhe të fotos dhe ajo është e varur në shtëpinë tonë në Perth. Çdo vit, në përvjetorin e trazirës, na telefonojnë gazetarë për të pyetur: “A jeni ende bashkë?”
Ndoshta është saktësisht kjo që e bën fotografinë aq universale, ajo na kujton se, edhe kur bota shpërbëhet, dhuna dhe terrori bëhen pjesë e saj, zemra nuk dorëzohet. Në mes të rrëmujës, njeriu kërkon një strehë të vogël sigurie, një dorë të kapur fort, një përqafim, një puthje që i thotë ndryshe botës, “Ne jemi këtu për njëri-tjetrin.”
Kjo foto mbetet testament i një të vërtete të thjeshtë, por të thellë, humanizmi shpesh shfaqet aty ku nuk e presim. Në mes të zhurmës, del një çast që hesht gjithçka. Në mes të dhunës, lind një gjest që e ndal kohën. Në mes të kaosit, dikush afron buzët me frikën e dikujt tjetër dhe e kthen atë në qetësi.
Një puthje.
Një moment.
Një kujtim se, pavarësisht gjithçkaje, dashuria gjen gjithmonë mënyrën të shpërthejë, edhe mbi asfaltin e një qyteti të ndezur.
Përgatiti: Albert Vataj


