Merkel: Nuk i kam fajësuar Poloninë dhe vendet baltike për luftën në Ukrainë, janë lajme të rreme!

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat se ajo fajësoi Poloninë dhe shtetet Baltike për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke i quajtur raportet “lajme të rreme”.

Në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ‘Phoenix’, Merkel tha se komentet e saj u keqinterpretuan dhe se ajo që i atribuohej asaj nuk u tha kurrë.

“Duhet ta quash lajm të rremë, në kuptimin që nuk u tha kurrë fare”, tha ajo, duke shpjeguar se komentet e saj kishin të bënin me kronologjinë e ngjarjeve siç paraqiten në librin e saj, Freiheit (“Liria”).

Ish-kancelarja vuri në dukje se për një vit pasi u botua libri i saj nuk pati asnjë reagim, derisa pati një “trazirë të madhe” sepse, siç tha ajo, “pothuajse askush nuk e lexon më origjinalin”.

Kur u pyet nëse kishte ndërmend të fajësonte Poloninë apo shtetet baltike për shpërthimin e luftës, Merkel ishte kategorike:

“Jo. Ne të gjithë dështuam  unë, të gjithë të tjerët ta parandalonim këtë luftë, përfshirë bisedimet tona me amerikanët”.

Reagimet lindën pas një interviste që ajo dha në tetor për median hungareze ‘Partizán’, në të cilën ajo iu referua refuzimit të Polonisë dhe vendeve baltike për të lejuar bisedime të drejtpërdrejta midis saj, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit rus Vladimir Putin, në verën e vitit 2021, kur Moska kishte filluar të grumbullonte trupa pranë kufirit ukrainas.

Udhëheqësit e Polonisë dhe shteteve baltike reaguan fuqishëm, duke besuar se Merkel ua kishte atribuuar atyre në mënyrë indirekte përgjegjësinë për pushtimin që pasoi gjashtë muaj më vonë.

Duke iu përgjigjur kritikave, Merkel sqaroi se disa ditë para propozimit të saj për Këshillin Evropian, Presidenti i SHBA-së Joe Biden ishte takuar me Putinin.

“Thjesht nuk mendoj se ishte e drejtë që ne evropianët nuk kërkuam gjithashtu një bisedë me Putinin, duke ia lënë këtë ekskluzivisht menaxhimit të qeverisë amerikane”, shpjegoi ajo.

Siç shtoi ajo, kjo është arsyeja pse mbështeti propozimin e saj, i cili në fund hasi në rezistencë. Megjithatë, ajo theksoi se në asnjë rast nuk kishte ndonjë “atribuim përgjegjësie” për atë se kush e shkaktoi luftën.