Gjigandi i ri demografik, qyteti me 42 milionë banorë që ja kalon dhe Japonisë

Nëse mendoni se qytete si Tokio ose Shangai janë aktualisht më të populluarit, gaboheni!

Renditja e qyteteve më të mëdha në botë ka ndryshuar, ndërsa rritja mbresëlënëse e Xhakartës përmbys një epërsi prej dekadash. Metropoli indonezian e ka tejkaluar Tokion, duke u bërë qyteti më i populluar në botë, sipas të dhënave të reja të OKB-së.

Sipas raportit të ri për Perspektivat e Urbanizimit Botëror 2025 , i cili përdor kritere të përditësuara për të kapur më saktë shkallën e urbanizimit të vëzhguar në mbarë botën, popullsia e Xhakartës po rritet vazhdimisht.

Kryeqyteti indonezian vlerësohet të ketë 42 milionë banorë. Daka, Bangladesh, është në vendin e dytë me 37 milionë, ndërsa Tokio, e përcaktuar në raport si një zonë më e gjerë metropolitane që përfshin tre rajone përreth, bie në vendin e tretë me 33 milionë. Ky është një përmbysje e habitshme nga raporti i mëparshëm në vitin 2018, i cili e kishte Tokion në krye.

Pse ndryshoi metoda e renditjes?

Renditjet e reja, thotë OKB-ja, bazohen në kritere më të qëndrueshme dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht për mënyrën se si përcaktohen qytetet, qytezat dhe zonat rurale. Vlerësimet e mëparshme mbështeteshin në të dhëna nga vende me përkufizime shumë të ndryshme, shpesh duke favorizuar Tokion.


Patrick Gerland, kreu i vlerësimeve të popullsisë në OKB, tha se metodologjia e rishikuar përdor tregues uniformë të popullsisë dhe gjeografikë, duke lejuar një matje globale vërtet të krahasueshme.

Numri i njerëzve që jetojnë në qytete është më shumë se dyfishuar që nga viti 1950, kur vetëm 20% e popullsisë së botës jetonte në zona urbane. Sot, pothuajse gjysma e 8.2 miliardë njerëzve të botës jetojnë në qytete. Deri në vitin 2050, dy të tretat e rritjes së popullsisë së botës pritet të ndodhë në zonat urbane, ndërsa pjesa tjetër në qytete dhe qyteza më të vogla.

Megaqytetet, pra ato me më shumë se 10 milionë banorë, janë rritur në mënyrë mbresëlënëse: nga tetë në vitin 1975, ato do të arrijnë në 33 në vitin 2025. Nëntë nga dhjetë qytetet më të populluara në planet ndodhen në Azi: Xhakarta, Daka, Tokio, Nju Delhi, Shangai, Guangzhou, Manila, Kolkata dhe Seuli.

“Urbanizimi është forca përcaktuese e kohës sonë”, thekson Li Junhua, Nënsekretar i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, duke vënë në dukje se me menaxhim të duhur mund të jetë një levë për veprim kundër krizës klimatike, për zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale.

Informacion rreth Xhakartës

Xhakarta, e shpërndarë në dhjetëra komuna në zonën më të madhe Jabodetabek, ka qenë prej kohësh qendra ekonomike, kulturore dhe politike e Indonezisë. Është gjithashtu një nga qytetet më të vjetra të banuara në Azinë Juglindore.

U themelua në shekullin e katërt si Sunda Kelapa. Po rritet me shpejtësi, e nxitur nga migrimi i brendshëm, demografia rinore e vendit dhe përqendrimi i biznesit, industrisë dhe teknologjisë në qendër të saj.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, qyteti përballet me sfida të mëdha si trafiku i tepërt, përmbytjet dhe fundosjet, të cilat e shtynë qeverinë të fillojë transferimin gradual të kryeqytetit në qendrën e re administrative të Nusantarës.

Pavarësisht të gjithave këtyre, ajo mbetet një nga qendrat urbane më dinamike dhe me rritjen më të shpejtë në botë.