Ronaldo zgjeron biznesin e tij në sport, investitor në botën e MMA-së
Cristiano Ronaldo ka zgjeruar sërish horizontin e tij të bizneseve, këtë herë duke hyrë në botën e arteve marciale mikse.
Kapiteni i Portugalisë dhe i Al-Nassr ka njoftuar investimin e tij të ri në WOW FC (The Way of Warriors FC), organizatë spanjolle që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në skenën ndërkombëtare të MMA-së.
Me këtë hap të ri, 40-vjeçari formalizon afrimin e tij me sportet e luftës dhe lidh markën e tij globale me atë të WOW FC, ku aksionar është edhe Ilia Topuria, kampioni i peshës së lehtë-të-pendës në UFC.
Organizata tashmë është e pranishme në mbi 170 vende, dhe partneriteti me Ronaldon synon ta përshpejtojë edhe më tej zgjerimin, duke e shndërruar MMA-në në një lëvizje kulturore me ndikim ndërkombëtar.
Ronaldo u shpreh se vendimi i tij lidhet drejtpërdrejt me vlerat që ai ndien se ky sport përfaqëson:
«MMA përfaqëson vlera në të cilat unë besoj me të vërtetë: disiplinë, respekt, qëndrueshmëri dhe kërkim të pandërprerë të përsosmërisë.
WOW FC po ndërton diçka unike dhe të fuqishme, dhe jam krenar që po i bashkohem këtij projekti për t’i ndihmuar të ngrejë nivelin e sportit dhe të inspirojë brezin e ardhshëm.»
Edhe Ilia Topuria e konsideroi këtë bashkëpunim si një pikë kthese për skenën e MMA-së:
«Hyrja e Cristiano Ronaldos në WOW FC është një moment i rëndësishëm për sportin.
Ai përfaqëson standardet më të larta të profesionalizmit, punës së palodhur dhe ekselencës globale.
Së bashku, do të çojmë MMA-në në nivele të reja dhe do të frymëzojmë sportistë e tifozë në mbarë botën që të besojnë se gjithçka është e mundur.»
WOW FC ka tashmë të planifikuara dy ngjarjet e radhës në Spanjë: WOW 24, nesër më 28 nëntor në Vitoria-Gasteiz, dhe WOW 25, më 13 dhjetor në Madrid.
