Rabiot: Milan më bën më të fortë! Mesfushori francez flet pas derbit: Jam më i pjekur, dua të përmirësohem

Adrien Rabiot, i rikthyer në fushë pas një dëmtimi të gjatë, gjatë një interviste për SportMediaset ka analizuar fitoren ndaj Interit, progresin personal dhe objektivat e Milanit. Francezi thotë se ndien pjekuri të re, ndihmon skuadrën me mentalitet dhe flet për shanse të kuqezinjve në garën për titullin e Serie A.

Adrien Rabiot e priti me emocion rikthimin e tij në derbin e Milanos dhe nuk e fshehu krenarinë pas fitores ndaj Interit. “ishte një ndeshje e rëndësishme dhe ta fitosh derbin të jep besim. Ishte i pari im në San Siro dhe e përjetova.” U shpreh ai.

Francezi, që mungoi për javë të tëra për shkak të një dëmtimi, tregoi se kthimi i tij u ndërtua mbi punë të kujdesshme dhe menaxhim inteligjent. “Kam punuar mirë pa u nxituar,” tregon ai, duke shtuar se “Mendova se mund të luaja 60 minuta, por atmosfera dhe adrenalina më shtynë ta mbyllja ndeshjen.”

Statistikat tregojnë një Milan më të qëndrueshëm me Rabiot në fushë, por ai refuzon ta personalizojë këtë fakt.

“Ndoshta shokët e ndjejnë më shumë besim kur jam aty. Unë përpiqem të flas, të ndihmoj, të jap vazhdimësi. Mund të jetë diçka mendore që i bën të tjerët të jenë më të fokusuar,” shpjegon mesfushori.

Rabiot pranon se ka ndryshuar që nga koha te Juventusi. “Jam më i pjekur,” thotë ai. “Çdo vit përpiqem të përmirësohem. Edhe vjet pata një sezon shumë të mirë në Marseille. Analizoj detajet, shikoj video, kërkoj çdo gjë që mund të përmirësoj.”

I pyetur për mundësinë për të shënuar golin e parë me fanellën kuqezi, ai u shpreh: “Do të ishte bukur ta gjej në San Siro. Më pëlqen të shënoj, por roli im është tjetër. Gjithsesi, dua të ndihmoj ekipin si me gola, edhe pa gola.”

Në fund, ai shprehu dëshirën që Mike Maignan të qëndrojë: “Është portier i jashtëzakonshëm. E do Milanin dhe tifozët e duan atë.” Sa i përket titullit, ai mbetet i kujdesshëm, por thekson se me grupin e plotë, gjithçka është e mundur.