KOSOVA FESTON FORCËN/ Kazerma “Adem Jashari” hap dyert për qytetarë e nxënës

Në Kosovë u shënua “Dita e Forcës”, ditë krenarie për ushtrinë dhe qytetarët. Kazerma “Adem Jashari” hapi dyert për vizitorët, duke i emocionuar veçanërisht nxënësit që takuan ushtarët. Fëmijët bënë pyetje interesante, ndërsa institucionet theksuan forcimin e ushtrisë me armatim modern.

Në Kosovë është shënuar “Dita e Forcës”, një ditë feste dhe krenarie kombëtare që simbolizon sigurinë dhe funksionimin e Ushtrisë së Kosovës. Në kuadër të kësaj dite, qytetarët patën mundësinë të vizitojnë nga afër kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë hapi dyert për vizitorë, ndërsa emocionet më të mëdha i patën nxënësit e shkollave, të cilët takuan ushtarët e shtetit, pyetjet që të vegjëli i drejtuan ushtarëve ishin të pafajshmë.

“A frikësoheni nga lufta?” “Armët që përdorni a janë të vërteta?”. Ndërsa ushtarët u siguruan atyre se janë të përgatitur për çdo situatë, duke i garantuar sigurinë e shtetit.

Nga e njëjta kazerme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ushtria është e pajisur më mirë se kurrë më parë dhe po forcohet çdo ditë.

“Me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë e gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt, të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë.”

Presidentja Vjosa Osmani e quajti ushtrinë pasardhëse të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe theksoi se ajo po bëhet gjithnjë e më profesionale.

“Sot është ditë krenarie sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku do ta bëjmë atë edhe më të fortë.”

Dita e Forcës edhe një herë dëshmoi lidhjen e fortë mes qytetarëve dhe ushtrisë. Me investime, trajnime dhe breza të rinj të motivuar, Kosova po synon një ushtri moderne dhe të gatshme për çdo sfidë.