Kontrolle për dhëmbët dhe sytë që në bankat e shkollës

Bankat e shkollës po kthehen gjithnjë e më shumë edhe në pikëkontrolli shëndetësor për fëmijët shqiptarë. Vetëm për vitin shkollor 2024–2025, mbi 230 mijë nxënës janë depistuar në shkolla për shëndetin e dhëmbëve dhe të shikimit, si pjesë e programeve kombëtare parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas të dhënave zyrtare, 132,764 nxënës janë kontrolluar për problematika dentare, ndërsa 102,201 për shikimin, duke mundësuar zbulim të hershëm dhe ndërhyrje në kohë për shmangien e komplikacioneve të mëvonshme.

Në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto” në kryeqytet, programi i depistimit zbatohet prej vitesh. Mjekja e shkollës, Entela Stërkeshi, thekson se kabineti shëndetësor funksionon çdo ditë dhe ofron jo vetëm shërbim mjekësor, por edhe promocion shëndetësor për nxënësit.

“Punojmë ngushtë me drejtuesit e shkollës, psikologun dhe koordinatorin e karrierës. Depistimi i shikimit kryhet çdo dy vjet për klasat e 3-ta, 5-ta, 7-ta dhe 9-ta”, shprehet ajo.

Gjatë periudhës shtator–nëntor, në këtë shkollë janë depistuar 538 nxënës, nga të cilët 69 janë referuar për vizitë tek mjeku specialist.

Programi Kombëtar i Depistimit të Shikimit, i nisur në vitin 2022, shkon përtej shkollës: ai nis që në lindje, me vlerësimin e të porsalindurve dhe vijon me rivlerësime periodike në qendrat shëndetësore dhe në shkolla. Paralelisht, programi dentar për fëmijët 6–14 vjeç synon zgjerimin e kabineteve dentare në shkolla, ndërsa në zonat rurale shërbimi ofrohet edhe përmes njësive të lëvizshme.

Vetëm gjatë vitit 2024, në rang kombëtar u realizuan 269,612 vizita dentare, përfshirë 66,456 depistime dhe mbi 62 mijë procedura terapeutike, si mbushje, mjekime, pastrime dhe ekstraksione.

Edhe në fushën e shikimit, shifrat flasin për një ecuri pozitive: gjatë vitit shkollor 2023–2024 u kryen 86,007 depistime, me 9,815 referime tek specialistët, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.

Programet e depistimit në shkolla po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një mburojë parandaluese për shëndetin e fëmijëve, duke garantuar jo vetëm zbulimin e hershëm të problemeve, por edhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.