VIDEO/ Dita Botërore e Prematuritetit, emocione dhe sfida për prindërit dhe ekipet shëndetësore
Dita Botërore e Prematuritetit festohet në çdo 17 nëntor dhe i kushtohet ndërgjegjësimit për lindjet prematurë dhe ndikimit që këto foshnja kanë në familje dhe shoqëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndau sot një video të veçantë nga Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, përmes së cilës solli në vëmendje foshnjat prematurë dhe rrugëtimin e tyre drejt jetës.
Aktorja Erjona Kakeli u shpreh në këtë videomesazh rreth eksperiencës së saj si prind i një fëmije të lindur prematurë.
“Në fillim ka qenë shumë shokuese. Nuk kisha dëgjuar dhe pse kam pasur eksperienca në aborte, nuk kisha dëgjuar për fëmijët prematurë. Ka qenë tmerrësisht shumë e vështirë, sidomos kur Margi kaloi një episod me mushkëritë dhe ishte në një risk të madh për jetën. Kemi kaluar shumë peripeci, që nga plazma, gjaku, oksigjeni që duhet të ishte i nevojshëm për frymëmarrjen e saj, në mjekime, në operim, në isheminë ka kaluar”, tha Kakeli.
Margi, vajza e aktores tha se iu bashkua videos për t’i dhënë një mesazh të gjithë nënave që kanë fëmijë prematurë, që të mos frikë, sepse ajo vetë është shembulli se një fëmijë i lindur prematurë mund t’ia dalë dhe të jetë i/e shëndetshme.
Drejtuesja e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj iu bashkua dëshmive duke shtuar se çdo fëmijë i lindur para kohe na tregon fuqinë dhe kujdesin gjatë shtatzënisë dhe mrekullinë e shkencës.
“Parandalimi është çelësi i suksesit. Jemi krenarë me punën e mjekëve tanë për parandalimin dhe trajtimin e lindjeve para kohe”, tha Demaliaj.
Dita Botërore e Prematuritetit është një rast për të inkurajuar përparimin në trajtimin dhe kujdesin mbi këta fëmijë me qëllimin që t’iu jepen mundësi të barabarta në mbijetesë dhe cilësi jete si fëmijët e tjerë.

